English

Rrezikohet të mbyllet "Arena e Cirkut"

Tiranë, 3 mars, NOA, Milena Selimi - "Cirku është në një truall me pronar, ashtu si janë shumë objekte të rëndësishme të kulturës shqiptare. Shteti ka zbatuar ligjin e kompensimit të tokës për objekte të vlerës së veçantë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, veçse të zbatohet ligji i pronës, sipas të gjitha rregullave të shtetit shqiptar".

Me këto fjalë udhëheqësi artistik i Cirkut, Fatos Roshi bën publike konfliktin e krijuar mes pronarit të tokës dhe këtij institucioni të rëndësishëm artistik. Problemi ka nisur shumë vite më parë, kur pronarët e parë të këtij trrualli ia kanë shitur të rinjve, që mësohet se janë pronarë të Universitetit U.F.O. Çështja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ku ka fituar pronari i trruallit. Tashmë çështja është kaluar për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa drejtues të cirkut mbeten të shqetësuar sesi do të shkojë fati i "Arenës së Cirkut", i cili prej disa vitesh ka treguar se është ristruktuar në formë, përmbajtje dhe cilësi artistike. Burime brenda institucionit tregojnë për NOA se "Ilir Mustafaj, gjyqtari, i çështjes së fituar në Gjykatën e Tiranës ka konflikt interesi, pasi është pedagog në Universitetin U.F.O".

Ky institucion, si shumë të tjera në Tiranë është i rëndësisë së veçantë, ndërsa pronësia e tokës, ka mbetur një çështje e pazgjidhur ende. Ky trruall, i cili ka pronarë të ligjshëm nuk është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por duke marrë atributet e objekti të një vlere të veçantë është në pronësi të shtetit shqiptar.

Drejtues të cirkut mbeten me shpresën se kjo çështje do të zgjidhet brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar, në mënyrë që ky institucion i rëndësishëm të vazhdojë të kryejë detyrën e tij, në vendin në të cilin është ndërtuar që nga periudha e qeverisjes së Mbretit Zog.

Nëntori i vitit 1959 shënon lindjen e cirkut shqiptar me shfaqjen "Shkopi magjik" ku dalloheshin artistët Ali Duma, Telat Agolli, Skënder Plasari, Vitore Rasha, Bajram Kurti, Arian Miluka, Pineu Shkurti. Regjia u realizua nga Mihallaq Luarasi me një program i cili u vlerësua inkurajues nga publiku. Specializimet e mëtejshme në Kinë mundësuan konsolidimin e kapaciteteve të grupit të akrobatëve, duke ofruar rrugë të reja në zhvillimin e cirkut shqiptar. Sot, pas 50 vjetësh, cirku vazhdon të joshë publikun me numrat e larmishëm që ofron duke filluar nga numrat akrobatikë, të ekuilibrit, numrat e ajrit, zhonglerët, klounata etj. Në muajin dhjetor u festua 50-vjetori i cirkut shqiptar ku u mbajtën sesione shkencore, ekspozita fotografike dhe u shfaqën dy premiera të reja "Qielli pikon yje" dhe "Të kalosh ylberin". Kjo shfaqje, përveç artistëve me përvojë, si: Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Fatos Alla, Sokrat Buzo, Pranvera Sallata prezantoi edhe emrat premtues të cirkut të sotëm, si: Manushaqe Mullai, Stela Blloshmi, Erando Jucja, Xhejms Kodra, Juxhina Madhi, Rubin Zuna, Klaudia Duro etj.

m.s/NOA

KOMENTE