English

Shqipëria-Kroacia, akord për policitë

Tiranë, 3 mars, NOA - Shqipëria dhe Kroacia do të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje të re për bashkëpunimin policor. Një fakt i tillë u deklarua gjatë një takimi mes ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha dhe homologut të tij, Tomislav Karamarko. Marrëveshja e mëparshme për bashkëpunim policor është nënshkruar që në vitin 1993 dhe për këtë arsye, dy homologët ranë dakord për rinovimin e saj brenda një kohe sa më të shkurtër, me synim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

"Risia e kësaj marrëveshje të re është që përveç shkëmbimit të informacionit e të përvojës, ajo do të parashikojë qartësisht bashkëpunim të ngushtë edhe për operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar terrorizmit dhe sfidave të tjera të rendit publik dhe të sigurisë në dy vendet tona", - u shpreh ministri Basha.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm i Kroacisë, Tomislav Karamarko vlerësoi nga ana e tij se rinovimi i marrëveshjes do të mundësojë në radhë të parë shtrirjen e bashkëpunimit në të gjitha nivelet si dhe u shpreh se sheh tek pala shqiptare një partner të sigurtë e të besueshëm.

Në konferencën për shtyp pas takimit, ministrat Basha dhe Karamarko vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe shprehën angazhimin e plotë për të thelluar këtë bashkëpunim në të gjitha fushat që mbulojnë institucionet që drejtojnë në të dy vendet.

Ministri Basha theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe narkotrafikut mbetet angazhim madhor i ministrisë së Brendshme dhe i qeverisë shqiptare dhe se kjo luftë do të vazhdojë në mënyrë që edhe raporti i vitit që vjen të tregojë këtë përmirësim substancial që tregoi raporti i këtij viti.

n.e/NOA

KOMENTE