Madrid, 3 mars, NOA - "Imazhi i Kosovës në Spanjë është aq i keq dhe i bazuar aq shumë në paragjykime. Ky shtet portretizohet si një vend për hedhje mbeturinash", thotë kreu i Zyrës në Madrid të Komisionit Evropian për marrëdhënie me Jashtë, Jose Ignacio Torreblanca.
Z.Torreblanca, jeni këtu me disa anëtarë të Parlamentit të Spanjës, në një mision fakt-mbledhës. Cili mendoni se është progresi, të cilin e ka bërë deri më tani Kosova si shtet dhe cilat janë sfidat e ardhshme, ndonëse Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet? - Ka një ditë që jam në Kosovë, por është një përvojë intensive. Kemi qenë dje në Serbi, në Beograd, e sot jemi këtu. Më duhet të them se jam i befasuar për të mirë në lidhje me atë që po shoh. Imazhi i Kosovës në Spanjë është aq i keq dhe i bazuar aq shumë në paragjykime. Ky shtet portretizohet si një vend për hedhje mbeturinash, një gropë ujërash të zeza me shumë njerëz, të cilët sillen poshtë-lart dhe nuk bëjnë asgjë. Përshkruhet si një vend me krim dhe madje, sipas disa mediave, thuhet se është një vend i ringjalljes së islamizmit dhe fundamentalizmit, një shtet narko-terrorist. Imazhi është shumë negativ për shkak të mungesës së kontakteve direkte. Njerëzit do të duhej të vinin dhe të shihnin, apo të shkonin dhe të shihnin dhe të shkëmbenin. Unë jam një person i informuar mirë në Spanjë, por shumë spanjollë presin se gjetjet këtu do të jenë të frikshme. Pikërisht për këtë, jemi këtu, që të gjejmë, të mësojmë dhe të përpiqemi t'i luftojmë të gjitha këto klishe. Ka shumë probleme këtu dhe askush nuk ka mohuar të flasë me ne për këto probleme. Problemet janë të mëdha, disa janë praktike, disa të tjera lidhen me çështjen e statusit. Por, njerëzit janë duke punuar në këto çështje, janë shumë të vetëdijshëm për to dhe nuk i mohojnë. Ata nuk tentojnë të thonë se kjo është Gjermani apo Norvegji. Pra, shoh një vetëdijesim për sfidat dhe problemet. Ne ishim në veri të lumit Ibër në Mitrovicë dhe pamë se njerëzit, madje edhe ata të minoritetit serb, janë të vetëdijshëm për atë se sa e ngrirë është situata. Për mua kjo është shumë me rëndësi, sepse këtu ndoshta ka më pak njerëz që janë në një situatë të mohimit të problemeve, sesa që ka në Spanjë. Ata do të ishin të befasuar me faktin që njerëzit po i analizojnë problemet këtu. Spanja është në radhën e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën si shtet. Spanja gjithashtu po udhëheq presidencën e radhës në BE. A mund të jetë një problem qëndrimi i Spanjës mbi statusin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE? - Jo, nuk mendoj kështu. Sipas intervistave që kemi pasur me njerëzit në terren, presidenca po punon ashtu siç është pritur. Spanja ka udhëhequr presidencën tri herë deri më tani, kjo është hera e katërt dhe ata e dinë se si bëhet kjo punë. Pavarësisht pritjeve, ata do të shpallin të pavlefshëm çfarëdo tentimi për të përdorur presidencën për ndonjë interes të veçantë. Ata janë të ndjeshëm në lidhje me faktin se duhet të jenë të balancuar në këtë. Presidenca koincidon me një qeveri, e cila ka qëndrimin që e ka. Pra, kjo nuk ndryshon asgjë, ata do të jenë të balancuar, sepse duhet të jenë të tillë. Kjo nuk ndikon as negativisht e as pozitivisht në situatën. Problemi është se Spanja nuk është e përfshirë dhe nuk është e pranishme këtu në baza ditore. Spanja nuk është e përfshirë totalisht as në EULEX, si mision neutral karshi statusit. Fakti që i kemi tërhequr trupat (nga KFOR-i), që kanë siguruar një stabilitet për të dyja komunitetet, nuk është qartësuar se a është bërë për shkak të nevojës për resurse, pasi misioni ka përfunduar, apo se kemi pasur një problem me statusin. Ne ende nuk e dimë këtë, se çka qëndron prapa kësaj, pra është një konfuzitet që paraqet një problem. Çka duhet të ndodhë për të shtyrë Spanjën që ta njohë shtetësinë e Kosovës, në rrafshin kombëtar apo ndërkombëtar? - Do të duhej që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të thotë se nuk ka asgjë në Rezolutën 1244 që e bën shpalljen e pavarësisë legale apo jolegale. Kjo do të thotë se Rezoluta 1244 në vete është neutrale dhe se shpallja e pavarësisë është një fakt apo akt politik, e jo legal apo ilegal. Kjo do të ishte shumë ndihmuese për të hapur një debat në Spanjë mbi aspektin politik dhe aspektin e kosto-dobisë. Deri më tani, kemi pasur shumë argumente të natyrës së legalitetit, mbi ligjin ndërkombëtar, dhe qëndrimi i Spanjës formalisht është i dominuar nga vlerësimet e natyrës juridike. Do të ishte ndihmuese që Gjykata të thotë se ky nuk është një diskutim që ka të bëjë me ligjin, porse është një diskutim praktik. Atëherë do të mund të kishte një diskutim mbi koston, përfitimet, qëllimet dhe përfundimet, të cilin aktualisht nuk e kemi, për shkak të kombinimit të debatit mbi ligjshmërinë dhe histerinë në një nivel tjetër. Ka pasur kritika ndaj Spanjës që thonë se Spanja po lobon kundër pavarësisë së Kosovës. Një koment mbi këtë? - I kam dëgjuar këto raporte që thoshin se disa diplomatë po lobonin në Amerikën Latine për t'i mbajtur frontet së bashku. Më shumë se në Amerikën Latine thuhet se janë përdorur kontaktet në Kombet e Bashkuara. Por, kjo është një gjë që nuk mund ta konfirmoj personalisht, nuk e kam parë ndonjë memorandum me qëndrimin zyrtar. Ekziston një qëndrim zyrtar i qeverisë, se përse nuk e mbështet pavarësinë, por nëse përpiqeni ta gjeni në faqen e internetit, nuk do ta gjeni. Pra, nuk mund ta deformojmë këtë dhe ta argumentojmë pikë për pikë. Kjo nuk është një politikë, sepse po të ishte politikë, do të kishte të bënte me arsye dhe qëllime. Kjo është diçka tërësisht tjetër, por shpresojmë se me kalimin e kohës do të shndërrohet në politikë, të cilën pastaj do të mund ta ndryshonim varësisht fuqisë së argumenteve.
"Radio Europa e Lirë"