Gramsh, 4 mars, NOA - Pas ditësh të tëra kërkimi, është mundur të gjendet më në fund edhe trupi i katërt pa jetë, i cili rezultonte i zhdukur pas aksidentit fatal të ndodhur në aksin Korçë-Gramsh ku humbën jetën 4 persona.
Lajmi konfirmohet paraprakisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore, sipas të cilave kufoma e gjetur i përket Elis Soganit, që ka qenë në të njëjtën kohë edhe shoferi i furgonit të rrëzuar në aksin e lartpërmendur, aty ku ndodhi edhe aksidenti tragjik.
Kufoma në fjalë, u gjet sot në vendin e quajtur Kodovajt, pasi ishte marrë poshtë nga rrjedhja e lumit të Devollit.
Disa ditë më parë u gjendën dy kufomat e para, të cilët ishin Petrit Ahmeti dhe Behar Senkollari, ndërsa personi i tretë i tragjedisë së rëndë u gjet një ditë pas tyre dhe mësohet se ishte Dritan Balla.
Ngjarja fatale ndodhi pak ditë më parë dhe për gjetjen e katër trupave u angazhuan forcat Renea si edhe polumbarë të cilët i kryen kërkimet në rrjedhën e lumit Devoll.
n.e/NOA