Tiranë, 4 mars, NOA Update - Ekonomia shqiptare arriti që falë masave të ndërmarra nga qeveria, t'u mbijetojë goditjeve të krizës së rëndë financiare të cilat përfshinë gjithë botën në vitin e kaluar.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni vetë ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë fjalës së mbajtur në një seminar të organizuar për situatën ekonomike në vend nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas Bodes, vendi gëzon tashmë një stabilitet makroekonomik dhe tregoi se i mbijetoi krizës më mirë se vende të tjera të rajonit.
"Ekonomia u rezistoi goditjeve të krizës. Në vend ka stabilitet makroekonomik. Vërtet viti 2009 ishte ndër vitet më të vështira, por politikat ekonomike kanë qenë të suksesshme", ka deklaruar ministri i Financave, Bode. Ndërkohë që sipas tij, ulja e borxhit publik mbetet prioritet i qeverisë, një fakt i theksuar edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
n.e/NOA