Tiranë, 4 mars, NOA - Lëvizja G99 përmes një reagimi publik, ka sjellë në vëmendjen e publikut dhe veçanërisht në vëmendjen e qeverisë, gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet rruga nacionale Fier-Vlorë. "Rruga që është një prej arterieve më të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare, është bërë thuajse e pakalueshme në tërë gjatësinë e saj, duke u kthyer në një rrezik të vazhdueshëm për udhëtarët, si dhe duke shkatërruar mjetet motorike", thuhej në këtë deklaratë.
Duke shtuar më pas se në më pak se 3 muaj hapet sezoni turistik, që e kthen seksionin Fier-Vlorë në rrugën më të përdorur në Shqipëri për periudhën maj-shtator.
"Po ashtu i kujtojmë publikut dhe qeverisë se fillimet e punimeve të rrugës Fier-Vlorë janë inauguruar qysh në vitin 2007, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale. Prej asaj kohe, shumë rrugë të tjera janë ndërtuar e prishur, ndërsa asnjë progres nuk ka ndodhur në këtë aks shumë të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore të vendit", citon më tej deklarata e lëvizjes G99.
n.e/NOA