English

Kuvendi, rezolutë për ruajtjen e Veriut

Prishtinë, 4 mars, NOA - Kuvendi i Kosovës ka miratuar një deklaratë politike, përmes të cilës fton qeverinë dhe të gjitha institucionet të shtojnë përkushtimin për zbatimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Duke shtuar më pas se mirëpret mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën për forcimin e përpjekjeve të institucioneve për veriun e Kosovës.

Propozuesi i kësaj pike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, në fillim të seancës kërkoi miratimin e një rezolute, e cila do ta obligonte qeverinë për shtrirjen e pushtetit në gjithë territorin e Kosovës. Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi prezantoi planet e parapara për shtrirjen e pushtetit në veri, përmes zbatimit të strategjisë për integrimin e kësaj pjese. Ai siguroi Kuvendin se qeveria është e gatshme t'i japë fund, siç tha kryeministri, kaosit 10-vjeçar në veri, duke përjashtuar përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve ekzistuese në veri. "Qeveria është përfundimisht e vendosur për shtrirje institucionale dhe kujdes institucional në veri. Strategjia për veriun është e bazuar në katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, decentralizimi apo reformimi i pushtetit lokal dhe themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut, adresimi i qeverisjes në tri komunat e veriut, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, dhe përmirësimi i situatës socio-ekonomike në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës", ka deklaruar Thaçi ndaj një fakti të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE