English

Meksi: Vendi është në krizë ekonomike

Tiranë, 4 mars, NOA - Partia Socialiste e cilësoi sot situatën ekonomike në vend si mjaft alarmante. Në një konferencë për shtyp, deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe abuzim e fondet.

Meksi shtoi se efektet e krizës janë ndjerë që në fillimet e vitit 2009 nga shqiptarët dhe janë evidentuar nga opozita dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Sipas saj ato u pranuan vetëm në muajin janar 2010 nga qeveria, kur iu desh të ngrinte 20% të shpenzimeve në javën e tretë të muajit të parë të vitit 2010.

"Nëse ju referohemi shifrave zyrtare, deficiti buxhetor në 2009 ishte rreth 160% ose rreth 30 miliard lekë(rreth 300 milionë dollarë) më shumë kundrejt buxhetit fillestar të planifikuar nga qeveria ose shtesa e deficitit të krijuar në 2009,është afërsisht sa borxhi që kjo qeveri po përpiqet të marrë nëpërmjet eurobondit", ka deklaruar deputetja e PS-së.

Meksi shtoi se kur një qeveri që rrit shpenzimet pa mundur të rrisë të ardhurat sipas programit të saj dhe ngrin shpenzimet e planifikuara që në muajin e parë të vitit, pra dy muaj pas aprovimit të buxhetit atëherë ajo nuk di të qeverisë. "PS bën me përgjegjësi qeverinë dhe kryeministrin që nuk ka dhënë asnjë argument mbi shkaqet e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore të 2009", u shpreh Meksi.

Deputetja e PS-së u ndal dhe në rritjen e çmimit të energjisë, e cila veç faturave të rritura për qytetarët do ketë efekt zinxhir në koston e shumë mallrave të tjera të konsumit të prodhuara në Shqipëri duke ulur konkurueshmërinë e tyre dhe të bizneseve shqiptare.

"Qytetarët po paguajnë përveç çmimeve të rritura edhe abuzimin e kompanisë tjetër monopol tashmë private OSSH,e cila në synimin për fitime monopol ka patur në krah qeverinë si bashkëpronare të 25% të aksioneve të saj që u kujtua nëpërmjet ministrisë së Energjetikës vetëm një muaj e gjysmë pasi kishte ndodhur faturimi i 10 ditëshit të fundit të dhjetorit me çmimet e kripura të janarit" u shpre Meksi.

Deputetja e PS-së u shpreh se shpenzimet e larta të qeverisë nuk sigurojnë dot as të ardhurat për të mbajtur veten. "Sepse tejkalon shumë shpenzimet korrente ndaj të ardhurave tatimore, megjithë retorikat "qeveri në dietë" dhe merr borxh për të mbuluar deficitet e mëdha të buxhetit, na sinjalizon se kriza po i thellon efektet e saj", u shpreh Meksi.

Opozita e ka parashikuar gjendjen alarmante edhe për punësimit.

m.xh/NOA

KOMENTE