English

Në shqip "Poetë të mëdhenj amerikanë"

Tiranë, 4 mars, NOA/ Milena Selimi - Janë prezantuar dje në Sallën Amerikane të Bibliotekës Kombëtare pesë autorë amerikanë, nën logon e serisë së botimeve "Aleph", nën drejtimin e Gentian Çoçolit. Janë sjellë në shqip autorët amerikanë Ezra Pound, Thomas Eliot, Vallace Stevens, John Ashbery dhe Robert Hass. Në këtë prezantim të kësaj serie Gentian Çoçoli u shpreh se "kjo seri lidhet jo thjesht me rëndësinë e këtyre "pesë poetëve të mëdhenj", klasikë të shekullit të njëzetë, po edhe me "audiencën që po merret me poezinë në Shqipëri, një realitet krejtësisht i ndryshëm nga i librit të dikurshëm, kur ishte e vështirë të lexoje poezi të autorëve të mëdhenj në shqip".

Ezra Pound (1885-1972) prezantohet me "Poezi dhe Kanto të zgjedhura". Janë zgjedhur dhe përkthyer nga Edion Petriti, pajisur me pasthënie nga Ghan Shyam Singh.

Vëllimi "Njeriu i borës" prezanton poetin Vallace Stevens (1879-1955) i përkthyer nga Parid Teferiçi, me pasthënie nga Helen Vendler.

John Ashbery (1927) me "Puhia e bregut tej", kandidat prej vitesh për çmimin Nobel, prezantohet si poeti amerikan me ndikimin më të madh në poezinë amerikane të pesëdhjetë viteve të fundit. Ashbery është përkthyer nga Iris Klosi, Gentian Çoçoli dhe Parid Teferiçi, shoqëruar me pasthënien e poetit amerikan Dan Chiasson.

Prej më të riut të të mëdhenjve, Robert Hass (1941) Rudi Erebera ka sjellë prej origjinalit përmbledhjen "E ardhme ngjyrë jargavani", me pasthënie nga Charles Simic.

Në këtë prezantim të serisë së poetëve amerikanë ishte i pranishëm edhe ambasadori John L. Uithers, II, ndërsa vetë ambasada amerikane e ka mbështetur financiarisht këtë projekt.

KOMENTE