Tiranë, 4 mars, NOA Update - Deputetët socialistë po bëhen gati për të hyrë në sallën e parlamentit, duke pritur momentin e përshtatshëm gjatë të cilit do të merret në diskutim nisma e paraqitur prej tyre për hetimin parlamentar të zgjedhjeve.
Në fakt, opozita nuk do të jetë pjesë e axhendës rutinë të Kuvendit, por ka deklaruar se do të futet në Kuvend për të kthyer në normë ligjore hetimin e zgjedhjeve dhe për këtë po pret momentin e duhur për të hyrë në sallë.
Vendimi për të bojkotuar miratimin e ligjeve në seancën e sotme u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së paraditen e sotme dhe u vendos që grupi parlamentar socialist do të hynte në sallën e Kuvendit vetëm për propozimet për amendimin e ligjit dhe ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet.
Ndërkaq, Kuvendi sapo ka miratuar emrat e deputetëve socialistë të cilët do të marrin pjesë në komisionet parlamentare, si edhe nismën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi për disa ndryshime në rregulloren e tij.
n.e/NOA