English

Protesta e minatorëve, policia rrethon kryeministrinë

Tiranë, 4 mars, NOA - Ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, dhjetëra minatorë kanë protestuar sot në mesditë në bulevardin e madh "Dëshmorët e Kombit", kundër neglizhencës së shtetit ndaj kërkesave të tyre ekonomike.

Protesta e punëtorëve të nëntokës nisi në sheshin "Skënderbej" e më pas iu drejtua selisë së kryeministrisë. Me pankarta në duar, minatorët i bënë thirrje qeverisë të miratojë statusin e minatorit, të mos lejojë rritjen abuzive të çmimit të energjisë e ujit dhe të zyrtarizojë minimumin jetik të shqiptarëve.

Pak minuta para nisjes së protestës, godina e kryeministrisë është rrethuar nga forca të shumtë policie të rendit. Të binin në sy rreth 6 mjete të blinduara policie brenda të cilave rrinin në gatishmëri forcat blu. Ndërsa forca të tjera të rendit ishin vendosur para selisë së kryeministrisë, në bulevard duke krijuar 2 gardhe, njëra para shkallëve të kryeministrisë dhe tjetra në trotuar, përballë minatorëve.

Minatorët kanë vendosur të qëndrojnë në shesh duke bllokuar në këtë mënyrë lëvizjen e mjeteve në bulevardin e madh dëshmorët e kombit.

Ndërsa policia rrugore bllokoi për disa orë qarkullimin e mjeteve në rrugën "Ismail Qemali" pranë kryeministrisë, e cila të drejton në bulevardin e madh.

Minatorët i kanë bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës së tyre për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

b.a/NOA

KOMENTE