Tiranë, 4 mars, NOA - Plot 680 gjoba dhe 15 leje drejtimi të pezulluara ka qenë numri i ndëshkimeve të ndërmarra nga policët rrugorë të kryeqytetit ditën e djeshme ndaj shoferëve të automjeteve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo në kuadrin e masave që kanë si objekt forcimin e masave ndaj kundravajtësve për uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave te tyre. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.
Njëherësh, shërbimi i Policisë së Tiranës, fton të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikmëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.
Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke i ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
n.e/NOA