Tiranë, 4 mars, NOA - Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar një ditë më parë, minatorët sot do të vijojnë protestat e tyre kundër qeverisë. Konkretisht, sot në orën 13.30, ata do të jenë para Kryeministrisë duke ngritur zërin për realizimin e këtyre kërkesave të cilat sipas tyre po rrënojnë çdo ditë ekonominë familjare. Tashmë në listën e ankesave të tyre nuk është vetëm statusi i minatorit dhe mosha e pensionit por dhe varfëria që ka prekur këtë kategori si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë.
Vetë kryetari i Sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri, u ka bërë thirrje qytetarëve të kryeqytetit t'i bashkohen protestës, pasi kërkesat e tyre janë gjithëpërfshirëse që nga rritja e çmimit të energjisë e deri tek rritja demagogjike e pensioneve.
"Nëse protesta e sotme nuk do të ketë rezultat pozitiv, kërkesat ekonomike të minatorëve do të kthehen në politike duke kërkuar në këtë mënyrë dorëheqjen e qeverisë", ka pohuar ai, ndërsa një javë më parë, minatorët u përplasën me policinë gjatë protestës së tyre, pasi kërkuan të takohen me kryeministrin Berisha.
n.e/NOA