Tiranë, 4 mars, NOA - Intensifikimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kroacisë e bënë më të lehtë rrugën e integrimit të Bashkimin Europian. Ky është mesazhi që Presidenti, Bamir Topi dha dje gjatë takimit me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Tomislav Karamarko.
Presidenti Topi vuri në dukje gjatë takimit se "objektivat e përbashkëta të të dy vendeve partnere dhe aleate tashmë në NATO, për anëtarësim në BE, e bëjnë të domosdoshëm zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në shkëmbimin e përvojës, në bashkërendimin e politikave të përbashkëta, si edhe mbështetjen e ndërsjellë në përmbushjen e objektivave strategjikë të të dy vendeve tona".
Kreu i shtetit ka nënvizua faktin se "nëpërmjet bashkëpunimit intensiv për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm do të lehtësohej edhe lëvizja e lirë e njerëzve, çka do të nxiste kontaktet mes popujve tanë, si dhe do t'i japë më shumë shtytje intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e turistik".
Ndërsa ministri i Brendshëm kroat, ka theksuar rëndësinë e rifreskimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy Ministrive të Brendshme respektive edhe nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë të ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojës reciproke në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafikimit.
Ministri Tomislav Karamarko u shpreh i bindur se bashkëpunimi mes strukturave përkatëse të policisë, shërbimeve të sigurisë dhe atyre informative do të sjellë fryte pozitive duke mundësuar ndërmarrjen e veprimeve konkrete operative.
m.xh/NOA