English

Zgjedhjet 1 me 4

"Këtu në xhep kam disa karta identiteti, të cilat janë marrë si model i këtyre zgjedhjeve. Keni dy karta identiteti fallco, nga Tropoja, të përdoruar në zgjedhje me kartat tuaja të identitetit. Për të vajtur te ky zotëri, urdhëroni këtë zotëri të njëjtë me dy karta në Tiranë. Nuk është vetëm Ruzhdie dhe Tropojë, urdhëroni këtë zotëri me dy karta identiteti në Dibër. Nuk mjaftojnë dy, shikoni këtë zotërinë tjetër me tre, të treja fallco janë. I njëjti njeri me 4 karta fallco, dy në Tiranë dhe dy në Korçë. Këto janë, ky është mekanizmi meqë keni thënë se nuk kemi prova"

*Nga Gramoz Ruçi

Të nderuar deputetë. Javën e kaluar opozita bëri një hap, duke dhënë një kontribut konkret për zgjidhjen e krizës politike shqiptare, që nuk e kemi shkaktuar ne. Ne dhamë një kontribut duke hedhur një hap nëpërmjet depozitimit të dy nismave ligjore, për të cilat paraqitëm një projektvendim për miratim në parlament. Në një kohë që ne të gjithë prisnim që edhe mazhoranca të jepte kontributin e saj, për fat të keq po konstatojmë se po e shpërdoroni atë, për të mos thënë që edhe nismën tonë po e shpërfillni, duke e anatemuar atë edhe sot kur po diskutohet miratimi i këtij projekt/vendimi.

Më lejoni t'ju them të nderuar deputetë, më lejoni t'ju kujtoj zonja Kryetare dhe zoti Kryeministër dhe lidership i Partisë Demokratike, se kjo është një krizë politikë dhe si çdo krizë politike kërkon zgjidhje me rrugë dhe me mjete politike dhe as me procedura parlamentare, as me zvarritje, as me paragjykime e aq më pak me anatemime.

Së dyti, ju vendosët se megjithëse keni emergjencë dhe kërkuam të diskutohet për miratim me një procedurë të përshpejtuar, vendosët ta lexonit atë pas një jave dhe sot me projektvendimin e paraqitur, keni vendosur që komisioni përgjegjës të merret fiks pas dy javësh dhe dy ditësh që është paraqitur dhe sot me projekt vendim vendosni ta diskutoni pas tre javësh, pra në datë 18.

Ky është lajmi më i keq, që kjo mazhorancë po i jep opinionit publik shqiptar, duke humbur kështu një shans që opozita e këtij vendi i jep kësaj mazhorance.

Mos e humbni këtë shans, me qëllim që opinioni publik shqiptar kërkon të zgjidhet me rrugë dhe mjete politike dhe as në rrugë dhe as nga vetë populli, sepse atëherë do të jetë shumë vonë dhe jashtëzakonisht keq për vendin.

Së treti, ky është lajm shumë i keq për partnerët tanë evropianë, të cilët mezi presin që Shqipëria të kryej detyrat e saj të shtëpisë, kurse ju me këtë projektvendim që po paraqesni sot, po i thoni BE, të cilët jo larg por në datën 12 mos gaboj, mblidhet pikërisht këtu në Tiranë Komiteti i Asociimit për herë të parë për Shqipërinë, kurse ju me këtë projektvendim, po i thoni atyre keni axhendën tuaj për ne, ju na merrni në provim në datën 12, kurse ne nuk nuk paraqitemi, sepse kemi axhendën tonë. Komisioni e ka në datë 16, kurse Parlamenti e ka në datën 18. Pra me një fjalë ju i thoni atyre ose ndyshoni ju axhendën tuaj ose në doni kaloni në doni ngelni në provim. Pra, po merrni përgjegjësi jashtëzakonisht të shumë të madhe para partnerëve ndërkombëtare dhe para shqiptare.

Këtë përgjegjësi do ta mbani ju, mos kërkoni nesër t'ia faturoni qoftë edhe opozitës shqiptare.

Një javë më parë ju premtova se do tërhiqemi nga kauza e transparencës nëse ju do të merrni dhe do të verifikonit këtu në parlament dokumentacionin e një qendre të vetme, atë të Ruzhdies, ku del qartë mekanizmi i korrupsionit elektoral.

Mirëpo sot që jam këtu, jo vetëm nga ajo ditë edhe ky propozim politik për një qendër të vetme votimi , jeni vërdallosur me deklarata të ndryshme shtypi sikur minoranca ju ka vjedhur një mandat.

Jo zotëri, me 529 vota sa ka, pa vendimin e kolegjit zgjedhor, me vendimin e KQZ, ju mandatin e Fierit e keni të humbur, edhe sikur kjo qendër votimi, pra ato 400 vota të jenë të vlefshme.

Nuk dua të zgjatem, dua të them se rasti i Ruzhdies nuk është rast i izoluar. Më lejoni që edhe në këtë seancë t'ju paraqes juve dhe shqiptarëve një provë tjetër për mekanizmin e manipulit.

Këtu në xhep kam disa karta identiteti, të cilat janë marrë si model i këtyre zgjedhjeve, që është arritje për herë të parë dhe që janë me standarde jashtëzakonisht të larta. Shikoni, këtu keni dy karta identiteti fallco, nga Tropoja, të përdoruar në zgjedhje me kartat tuaja të identitetit.

Për të vajtur te ky zotëri, urdhëroni këtë zotëri të njëjtë me dy karta në Tiranë. Nuk është vetëm Ruzhdie dhe Tropojë, urdhëroni këtë zotëri me dy karta identiteti në Dibër. Nuk mjaftojnë dy, shikoni këtë zotërinë tjetër me tre, të treja fallco janë.

Shikoni këtë tjetrin me tre. Shikojeni këtë zotërinë tjetër me dy. Shikojeni këtë zonjë me dy. Shikojeni këtë zonjë tjetër me dy. Nuk po vazhdoj atëherë me që e ke merak i dashur, ke qenë zv/ministër i Brendshëm, i njëjti njeri me 4 karta fallco, dy në Tiranë dhe dy në Korçë. Këto janë, ky është mekanizmi meqë keni thënë se nuk kemi prova. E pra të nderuar pjesëmarrës të mazhorancës, i nderuar Kryeministër, e nderuar kryetare e Parlamentit, ne jemi këtu për ta zgjidhur këtë problem. Ne jemi këtu për ta zgjidhur këtë konflikt, ne jemi këtu për të vendosur këtë standard, ne jemi këtu për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne jemi këtu për të plotësuar të gjitha ato parametra që BE kërkon te ne.

Ne do jemi këtu për ta zgjidhur këtë krizë nëse do të ekzistojë vullneti juaj. Ne do të qëndrojmë këtu. Nëse ky vullnet do të mungojë, dhe ju nuk dëshironi ta zgjidhni këtë krizë, sigurisht ne nuk do të jemi këtu dhe përgjegjësia politike do të bjerë vetëm mbi ju.

* (Fjalim i mbajtur nga kreu i grupit parlamentar socialist në seancën e sotme plenare)

KOMENTE