Gjirokastër, 5 mars, NOA - Një shkëndijë elektrike ka shkrumbuar materialet e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër. Lajmi bëhet i dituar nga policia e Gjirokastrës. Sipas policisë, njoftimi për rënien e zjarrit është bërë rreth orës 06.00 të mëngjesit në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Zjarri ka rënë në katin e dytë të kësaj godine në zyrën e inspektorëve të kualifikimit dhe trajnimit.
"Si rezultat i rënies së zjarrit në këtë godinë në zyrën e inspektorëve janë djegur plotësisht të gjitha materialet, kompjuterët, tavani si dhe një pjesë e çatisë", thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës. .
Zjarri është mundur që të shuhet vetëm pas rreth 30 minutash duke shpëtuar zyrat e tjera dhe krejt godinën.
"Grupi hetimor pasi kreu të gjitha veprimet e duhura në vendngjarje ka përcaktuar se shkaku i rënies së zjarrit është si pasojë e një shkëndije elektrike në zyrën e inspektorëve", thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës.
m.xh/NOA