English

Edi Rama: Manipulimin zgjedhor po e paguajnë qytetarët

Tiranë, 5 mars, NOA - Gjatë bashkëbisedimit të radhës me gazetarët, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përmendur faktin se qeveria nuk po kujdeset për qytetarët, pasi sipas tij, nuk ka nevojë për votat e tyre ngaqë i vjedh ato. Më tej, ai ka vënë në dukje efektet e krizës ekonomike që sipas tij, po i paguajnë qytetarët.

Z. Rama, ç'mund të thoni për situatën aktuale politike në vend?

- Sot dua të ndalem në një çështje sa të thjeshtë po aq të ndërlikuar; se një pushtet i cili e merr votën pavarësisht nga vullneti i popullit, është një pushtet që nuk ka arsye ta respektojë popullin, nuk ka arsye të mendoj seriozisht për pasojat që kanë veprimet dhe mosveprimet e tij në jetën e qytetarit, s'ka arsye që të ndihet i detyruar t'i jap llogari për aktet e tij.

Ja ku jemi sot në kushtet e një marrëdhënie tërësisht të deformuar mes pushtetit dhe qytetarit. Gjë që besoj se u pa në mënyrë flagrante se sa në shumë raste të tjera, në rastin e faturave të energjisë, të cilat janë shëmbëlltyra më besnike e faktit se kur pushteti e merr votën edhe nëse qytetari nuk ia jep, atëherë qytetari është i detyruar të paguajë një faturë marramendëse, sepse pushteti nuk varet më prej tij.

Është e papranueshme, që pas denoncimit të bërë nga media, pas alarmit të dhënë nga opozita për faturën e re të energjisë që përbën një shkelje flagrante të ligjit, qeveria nuk ka reaguar. Jo vetëm kaq, por përmes altoparlantëve të vet, është munduar ta trajtoj si çështje me karakter teknik. Por, nuk është kështu, ajo është çështje që lidhet sa me pafuqinë e një qeverie të zhytur në krizën e keqmenaxhimit të financave për të përballuar detyrimet e veta kontraktuale, aq edhe me shpërfilljen e plotë që e karakterizon qeverinë në raport me qytetarin. Fatura e re energjisë është një shembull i këtij deformimi të madh, që e ka zanafillën e vet tek kontrata e shkelur me këmbë në 28 qershor, kur duhet të vendoste qytetari shqiptar, por në fakt vendosi pushteti, në shkelje të plotë të kushtetutës, në shkelje të normave të bashkëjetesës demokratike.

Dua ta vë shumë fortë theksin te aspekti i keqqeverisjes në raport me nevojat e qytetarëve dhe familjeve shqiptare sot dhe dua që të gjithë ta kuptojnë se kjo ka të bëj me natyrën e një pushtetit që ka lindur nga një deformim i madh. Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me një krizë ekonomike që po shkon drejt thellimit, ndërsa pushteti vazhdon ta fsheh, duke fshehur të dhënat, njësoj siç ka fshehur dhe siç mban të fshehur të gjitha gjurmët rënqethëse të grabitjes së 28 qershorit, të kutive të votimit.

E them me përgjegjësi të plotë, se ajo që po del në dritën e diellit nga hapja e kutisë së Ruzhdies, është simetrike, e njëllojtë me atë që një ditë jo të largët do të dalë në dritën e diellit nga kutia e të dhënave të ekonomisë shqiptare, e cila është në një krizë të thellë. Nga ana tjetër të dhënat mbahen të fshehura në një mënyrë që i kushton përditë e më shumë shoqërisë dhe do t'i kushtojë edhe akoma më shumë në të ardhmen ekonomisë së këtij vendi.

Këto doja të thoja, duke mos u shkëputur nga aktualiteti i një beteje për transparencë, por duke dashur që të gjithë së bashku të shohim të vërtetën e thjeshtë, se mungesa e kësaj transparence s'ka të bëjë me kutitë e votimit si objekte ku ndodhen ca dokumente, por ka të bëjë me një filozofi qeverisëse, e cila është përditë më e lidhur me fizionominë e një pushteti të grabitur.

Si do të vazhdojë aksioni opozitar në lidhje me transparencën e zgjedhjeve?

-Duhet të kuptojmë të gjithë së bashku, se e drejta për transparencë është një e drejtë kushtetuese dhe detyrim kushtetues i parlamentit karshi popullit të vet. Kjo është një e drejtë e mohuar deri më sot, sepse vendosja e saj, do të vinte në pah të dhënat rrënqethëse të atyre zgjedhjeve nga ku buron ky pushtet i deformuar që po e shkatërron ekonominë e vendit dhe që po godet ekonominë familjare. Është e rëndësishme të nënvizohet, se sot keqqeverisjen shqiptarët e paguajnë direkt nga xhepi i tyre; me faturën e re të energjisë, në faturën e dyfishuar të ujit. Në faturën e jetesës së tyre në përgjithësi, që po ndjenë përditë e më shumë peshën e një krize të rënduar artificialisht nga fshehja e saj, dhe nga shpenzimet marramendëse për interesat elektorale të pushtetit.

Po në lidhje me pretendimin e zonës së Ruzhdies?

- Në rastin e Ruzhdies, e vërteta ka filluar të shfaqet. Ne e sfiduam zotin Berisha dhe pushtetin, duke kërkuar transparencën e kësaj kutie, pa qenë në dijeni të të dhënave, por me bindjen e plotë se informacionet tona janë tërësisht të sakta,dhe janë të lidhura me një grabitje me përmasa skandaloze në 28 qershor. Ajo që e bën grabitjen e zgjedhjeve në kushtet e lirisë me demokracisë të kufizuar si rasti ynë, një problem të rëndë që lidhet direkt me jetën e çdo qytetari, është ai fakt që thashë. Një qeveri që nuk ka nevojë për të bindur kënd se i duhet votat e secilit, pasi këtë votë e merr edhe po nuk ia dhanë, është një qeveri e destinuar të kthehet në barrë në kurrizin e njerëzve.

Gjithë standardet e mirëqeverisjes në një vend demokratik lidhen në fund fare me faktin elementar se çdo qeveri në demokraci ka nevojë të bind qytetarët, sepse varet nga vota e tyre. Në momentin kur kjo nevojë relativizohet dhe kur qeveria nuk e ka të domosdoshme çdo votë, sepse atë sasi votash që i duhet për të kapërcyer pragun e fitores e merr me pahir përmes një mekanizmi korrupsioni siç është ai instaluar në Shqipëri, atëherë çdo qytetar pa asnjë dyshim paguan drejtpërdrejtë kostot e kësaj të vërtete të hidhur, sepse që nga ai moment qeveria nuk ndjen detyrimin të japë llogari dhe të plotësojë me kujdes sa më shumë nga nevojat e njerëzve dhe t'ju shkojë pas sa më shumë aspiratave të njerëzve. Ky është fakt i thjeshtë, duke ju përgjigjur pyetjes së parë që do kërkonte bisedë më vete, kjo qeverisje s'ka asnjë gjasë që të shkojë duke u përmirësuar, por do të përkeqësohet, sepse buron nga ai fakt që unë thashë, madje edhe në raport me vetveten. Kjo qeveri është më e papërgjegjshme sot se sa dje. Edhe në raport me 4 vitet e para, kjo qeveri është shumë më e papërgjegjshme seç ishte, sepse është shumë më e pavarur nga vullneti i popullit. E ka deformuar këtë vullnet dhe me fuqinë që i jep ky fakt, po shkel çdo ditë mbi principe të demokracisë.

Kjo ka sot një kosto individuale për çdo qytetar. Nesër do të ketë një kosto të përbashkët për vendin dhe mbarë popullin. Sepse, ekonomia shqiptare në kushtet e mungesës së transparencës dhe në kushtet e vazhdimit kokëfortësisht në rrugën e gabuar, do të kolapsojë dhe nuk do të jetë në gjendje të vetfrenojë përpara humnerës së një krize që e ka përfshirë tashmë tërësisht. Këtë të gjithë e ndjejnë, por kjo do të shkojë duke u bërë edhe më e ndjeshme. S'ka gjasë të frenohet kriza duke e kuruar në mënyrën se si po e kuron pushteti i sotëm. S'ka gjasë të kurohet sëmundja duke fshehur diagnozën dhe duke përdorur ilaçin e gabuar. Në rastin e Ruzhdies me sa duket kjo ka ndodhur, por s'kemi arsye të besojmë se kjo mund të ndodhë në rastin e Shkodrës, për vonesat, të cilat për mendimin tonë janë të pajustifikueshme.

Përse nuk i drejtoheni prokurorisë?

- Unë e kuptoj që ju kërkoni ta lidhni me çdo kusht atë që ne kërkojmë me atë që ne nuk kërkojmë. Jam i detyruar të përsëris, se kërkesa jonë ka të bëjë me transparencën në funksion të një të drejte, ne s'kemi të bëjmë me prokurorinë. Hetimi i zgjedhjeve që ne kërkojmë përmes parlamentit, ka lidhje me të drejtën e kontrollit parlamentar, për të parë se si është zbatuar një ligj i aprovuar nga parlamenti dhe për të gjykuar se si ka funksionuar administrata. Është fare elementare.

Ne nuk duam t'i mbetemi borxh askujt. Por, njëkohësisht kemi bindjen tonë të palëkundur, se pavarësisht sa e madhe është fuqia që i është kundërvënë transparencës, detyrimi ynë është që ta bëjmë të mundur transparencën, për t'i dhënë fund një epoke kur pushteti duke dalë nga fuqia e vet manipuluese, jo nga sovrani që e voton, të bëj ç'të dojë me popullin sovran.

Unë ju dhashë disa fakte. Nuk dua që të mbetemi në të njëjtin debat, me të njëjtin argument për të njëjtën çështje. Por, duam që transparencën ta shohim të lidhur, sepse është e lidhur me çështjen e cilësisë e qeverisjes, është e lidhur me krizën ekonomike që shkon duke u rënduar në mungesë transparence. Shqiptarëve u ofrohen shifra të rreme, u ofrohen të dhëna të rreme, u ofrohen perspektiva të rreme, në kushtet kur ekonomia po vazhdon të zhytet në krizë, dhe në kushtet kur ekonomia jonë kërcënohet nga një inerci që mund ta bëjë të tatëpjetën të pafrenueshme. Ky është fakt, ashtu si kundër është fakt se sot të gjithë përballen me një faturë e energjisë, që përveçse ka brenda rritjen ekspotenciale, rritjen e çmimit për shumë familje, ka brenda edhe arrogancën e një pushteti që nuk do t'ia dijë fare se sa i dhemb qytetarit një akt i tillë, sepse nuk e ka të nevojshme votën e çdo qytetarit për të kapërcyer pragun e fitores sepse e merr vetë dhe ndaj hesht. Madje, është fajtor në prerjen e një fature ku përfshihen edhe ditët që janë jashtë afatit të parashikuara nga ligji për këtë rast, duke e bërë të papërballueshme faturën për një shumicë familjesh shqiptare. Ky është realiteti dhe prandaj ato kutitë e votimit dhe ajo transparenca e shumë kërkuar prej nesh është themelore, jo për të ndarë kush ka të drejtë mes PS e PD, as për të ndarë se kujt janë kutitë si sende, por për të ndarë Shqipërinë nga një epokë e deformimit dhe kontestimit të zgjedhjeve, nga një epokë e ndërhyrjes në procesin zgjedhor, për të ricikluar pushtetin. Sepse, ne nëse nuk ndahemi nga kjo epokë, do të vazhdojmë të zhytemi në batakun e keqqeverisjes. Janë të dyja të lidhura bashkë, janë funksion i njëra tjetrës. Një qeveri që grabit votat, nuk mund të qeverisë ashtu si duhet ekonominë, e ka të pamundur, dhe nuk është çështje zotësie që këtyre zotërinjve u mungon, por çështje e shkeljes në zanafillë të një kontrate varësie të qeverisë nga qytetarët. Këtu jemi kthyer përmbys sepse qeveria nuk e sheh qytetarin si forcën që e mban në pushtet, por e sheh si varësi të vetën, në funksion të çdo oreksi, tabiati të keq, që është kthyer në normë në këtë vend.

Cila është lidhja sipas jush mes ekonomisë dhe situatës politike?

- Besoj se e vutë re që fokusi qëllimisht mbeti aty ku e nisa bisedën. Dëshiroj që në komunikimin me qytetarët kjo çështje të trajtohet gjerësisht dhe jo ngushtësisht, sepse ka lidhje me cilësinë e qeverisjes, dhe ekonominë e vendit. Rëndesa e ekonomisë vjen edhe si rezultat i deformimit të rëndë vullnetit të qytetarëve. Faturat e energjisë, nxjerrja në pah sistematikisht e një mali falsifikimeve në Orikum, refuzimi për t'i trajtuar minatorët si njerëz, pavarësisht se sa i plotësohen kërkesat, janë 3 çështje të javës, që tregojnë në fakt të njëjtën gjë, se ajo që qëndron e fshehur në kutitë e 28 qershorit të marra peng, nuk është fare se kush ka të drejtë, por është në fakt cilësia e qeverisjes dhe vlera e demokracisë në Shqipëri. Është shumë më e madhe, shumë më e rëndësishme, shumë me influencë për qytetarët se sa duket në pamje të parë. Sepse, ato kuti nuk janë sende. Beteja jonë nuk është zënkë se kujt i takojnë sendet, por kutitë janë bankat ku është investuar besimi i popullit dhe të kthyera në piramida ato shkatërrojnë themelet mbi të cilat qëndron demokracia dhe mbi të cilat ngrihet vetë sistemi i qeverisjes në një sistem demokratik. Ky është një sistem që po shkon duke u kalbëzuar me shpejtësi, sepse themelet janë të kalbura.

KOMENTE