Tiranë, 5 mars, NOA - Duke vlerësuar rëndësinë që ka për qytetarët liberalizimi i vizave, Partia Demokratike do të kërkojë në Kuvend miratimin e një rezolute, ku të gjitha forcat politike të shprehin qëndrimet e tyre.
Nisma më e fundit e Partisë Demokratike është bërë sot publike nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Në një deklaratë, Patozi thekson se është e rëndësishme që çdo faktor politik të japë kontributin e tij për këtë proces.
Qëndrimi i PD-së vjen pas bojkoti të Partisë Socialiste ndaj një sërë nismash.
Kreu i grupit të Partisë Demokratike deklaroi se liberalizimi i vizave është prioritet i qeverisë shqiptare dhe si i tillë, të gjitha forcat politike duhet të shprehen për përshpejtimin e këtij procesi.
Por veç kësaj, rezoluta e PD-së duket se do të vërë në dilemë dhe Partinë Socialiste, e cila ka deklaruar se nuk do të miratojë në Kuvend asnjë ligj që nuk ka të bëjë më hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve.
m.xh/NOA