English

PS: Fshehja e krizës, më e rëndë se kriza

Tiranë, 5 mars, NOA - Për Partinë Socialiste, situata ekonomike në të cilën ndodhet vendi nuk ka të bëjë me zhvillimet ndërkombëtare, por me menaxhimin gabuar të qeverisë. Ky është qëndrimi që mbajti sot deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, gjatë një deklarate zyrtare.

"Për Partinë Socialiste, kriza ekonomike nuk lidhet me asnjë konjukturë ndërkombëtare, por me politikat e gabuara ekonomike të 4 viteve të fundit. Për më tepër, për Partinë Socialiste, fshehja e krizës është më e rëndë se vetë kriza. I kërkojmë kryeministrit të "Ruzhdies" të heqë dorë nga fshehja e krizës dhe nga mashtrimi me të dhënat zyrtare sepse kështu po vë në rrezik sovranitetin e vendit", u shpreh Beqja.

Ai vlerësoi se të dhënat publike të realizimit faktik të buxhetit të vitit 2009 tregojnë dështimin e qeverisë në zbutjen e varfërisë.

"Mund të vazhdoj të rendis shumë të dhëna që dëshmojnë se Shqipëria është në krizë. Por në fakt ky nuk është më lajm i ri. Krizën e ndjejnë sipërmarrjet shqiptare, e ndjen biznesi i vogël, e ndjejnë më së shumti familjet shqiptare.

Kriza është ulur këmbëkryq, por ç'është më e keqja, Sali Berisha vazhdon ta fshehë e të mashtrojë me të dhënat zyrtare", u shpreh Beqja.

m.xh/NOA

KOMENTE