Tiranë, 5 mars, NOA - Urgjenca e kardiologjisë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë, nuk ka kryer operacione prej disa ditësh.
Shkak është bërë djegia e autoklavës, sterilizuesja e pajisjeve mjekësore pa të cilat nuk mund të kryhen operacionet.
Defekti i autoklavës pranohet dhe nga drejtoria e QSUT-së, e cila ka deklaruar sot përmes zyrës së shtypit se autoklava e sterilizimit të pavijonit të kardio-kirurgjisë ka pësuar një defekt për shkak të djegies së rezistencës.
"Drejtoria e QSUT-së është njoftuar ditën e enjte paradite për defektin dhe një ditë më pas ka firmosur për blerjen e pajisjes me anë të prokurimit të drejtpërdrejtë.
Procedurat për rregullimin e aparaturës pritet të përfundojnë brenda dy ditëve", është shprehur drejtori i QSUT, Ilir Dashi.
Sipas drejtorisë, për pacientet e urgjencës, sterilizimi i pajisjeve bëhet në Spitalin Francez për shkak të afërsisë që kanë njëri me tjetrin këto godina.
b.a/NOA