English

"Rally i Princeshave 2", gara automobilistike

Tiranë, 5 shkurt, NOA - Pas "Rally Albania", garë kjo e cila ka vite që zhvillohet si në shumë vende të tjera, tashmë organizohet edhe në Shqipëi "Rally i Princeshave", në të cilën marrin pjesë vetëm gra dhe vajza të çdo moshe e që sivjet është viti i dytë i saj. Gara "Rally i Princeshave 2", e cila edhe sivjet organizohet me rastin e 8 marsit, ndryshe nga e vjetshmja që zhvillohej në rrugë brenda qytetit të Tiranës, sivjet do të zhvillohet në një pjesë të rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, duke nisur nga sheshi përpara Pallatit të Kongreseve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", do të shkojë deri në kilometrin 29 të rrugës Tiranë-Elbasan e kthim.

Kjo lloj gare, ndryshe nga garat e tjera të "Rally Albania", nuk do të jetë e shpejtësisë, (pra kush mbërrin e para, siç bëhen të tjerat), por në arritjen sa më afër kohës së studiuar e të paracaktuar nga organizatorët, pasi bëhet në rrugë nacionale, pa ndalur qarkullimin e zakonshëm të mjeteve të tjera.

Ata që dëshirojnë të shikojnë nisjen e princeshave shqiptare, mund të vijnë në sheshin përpara Pallatit të Kongreseve, të dielën në 7 mars 2010, në orën 11 dhe ata të apasionuarit, mund të shkojnë të shohin pjesën më të bukur të kësaj gare, mbërritjen e saj, e cila do të jetë në fshatin Ibë, ku do të bëhet edhe ceremonia e mbylljes dhe dhënia e çmimeve te lokali Teatër-Park Kame, Ujvara Resort.

n.e/NOA

KOMENTE