Tiranë, 5 mars, NOA - Bashkimi Europian duhet të njohë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave me të.
Një deklaratë e tillë ka qenë ajo e nënshkruar nga ministrat e Brendshëm të Bosnjës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë gjatë konferencës së 7 Ministrore mbi Bashkëpunimin për Kufijtë në Europën Juglindore (SEE), mbajtur në Tiranë.
Kjo deklaratë i bën ndër të tjera thirrje Bashkimit Europian që të përshpejtojë vendimmarrjen për të liberalizuar regjimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Edhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha apeloi në fjalën e tij edhe për një vendim sa më të shpejtë të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Sipas tij, këto dy vende "janë në pritje të raportit te vlerësimit dhe vendimit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e tyre".
"Urimi i përfaqësuesit të Sekretariatit të Këshillit sot për tre vendet që tashmë kanë përfituar lëvizjen e lirë dhe për ato që pritet ta përfitojnë së shpejti, i bashkangjitet kërkesave jo vetëm të dy vendeve tona për një vlerësim objektiv të shpejtë dhe pa vonesa të progresit të arritur në të gjitha fushat, por dhe kërkesave të përsëritura të Parlamentit Europian dhe të agjencive të tjera qeveritare dhe joqeveritare", tha ai lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA