English

Kapet arsenal armësh, arrestohen dy veta

Durrës, 6 mars, NOA - Dy persona janë kapur me pistoleta e automatikë dhe mjaft fishekë, duke përfunduar në prangat e policisë. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Gazmend Çollaku dhe 43-vjeçarin Mynyr Tahiraj, të cilët janë kapur në flagrancë me pistoleta dhe mjaft krehëra fishekësh.

I pari u kap në një qendër interneti në qytetin e Durrësit, ndërsa rezultonte i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake, pasi në lokalin Riviera ka plagosur me pistoletë personin me inicialet K.B. duke i shkaktuar plagosje të rëndë.

I shpallur në kërkim, ky person është kapur pas disa muajsh ku i janë sekuestruar edhe një automatik e një pistoletë.

Ndërsa personi i dytë i kapur është Mynyr Tahiraj, 43-vjeç, i cili është kapur me një pistoletë tip Zastava dhe një krehër me 6 fishekë.

Tashmë ndaj tyre rëndon vepra penale e parashikuar nga nenet 278, 279 dhe 280 të Kodit Penal, sanksioni i të cilave varion nga gjobë, deri në 15 vjet burg.

n.e/NOA

KOMENTE