Tiranë, 6 mars, NOA - Për Partinë Socialiste problemet e banorëve në Orikum me pronat, të drejtat e minatorëve, rritja e çmimit të energjisë dhe situata e rënduar ekonomike, vijnë si pasojë e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi deklaroni dje se nëse nuk ka transparencë vendi do të jetë gjithmonë në krizë.
"Të gjitha vështirësitë e problemet me të cilat përballen sot shqiptarët, që nga rritja e çmimeve e deri tek injorimi i të drejtave të banorëve të Orikumit e tallja me kërkesat e minatorëve e kanë origjinë tek manipulimi i procesit zgjedhor. Refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur në 28 qershor përbën provën më të qartë se kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës", u shpreh në një konferencë për shtyp Klosi.
Ai theksoi se ka disa muaj që vendi është në krizë ekonomike dhe pavarësisht deklaratave të qeverisë, qytetarë e këtij vendi e ndjejnë krizën sa herë u futet nën derë fatura e energjisë dhe ujit.
"Për sa kohë standardet e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme nuk do të arrihen, për sa kohë vota ndryshe do të hidhet në kuti e ndryshe do të numërohet, për sa kohë vullneti i popullit do të shtrembërohet ashtu siç ndodhi në 28 qershor, kjo situatë nuk ka për të ndryshuar", u shpreh Klosi.
m.xh/NOA