English

Kriza greke, Preçi: Duhet t'i paraprijmë pasojave

Tiranë, 6 mars, NOA - Ekonomia shqiptare rrezikon të ndjejë pasojat e krizës që ka përfshirë prej disa muajsh ekonominë greke. Analistët tanë shprehen të shqetësuar se janë disa kanale të transmetimit përmes së cilave kriza ekonomike greke mund të mbërrijë dhe tek ne. Një prej këtyre rrugëve janë të ardhurat e emigrantëve, të cilët sipas të dhënave të vitit 2009, pësuan një rënie të ndjeshme me 30 për qind.

Sipas drejtorit të Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, Shqipëria rrezikon të preket për disa arsye, po më të rëndësishmet janë ndikimet e krizës greke në të ardhurat e emigrantëve, punësimi sezonal në disa fshatra kufitarë me Greqinë si dhe investimet greke private në Shqipëri, pa folur për rolin e ekonomisë greke në investimet rajonale.

Një rrezik që mund të sjellë kriza greke është rritja e fluksit të të papunëve si pasojë e kthimit të emigrantëve të cilët rrezikojnë të mbeten të papunë si pasojë e shkurtimit të vendeve të tyre të punës në Greqi.

Zoti Preçi, pse mendoni se Shqipëria do të preket nga kriza greke?

Unë mendoj se kriza e ekonomisë greke do të shfaqet më shumë në ato vende që kanë më shumë emigracion. Në këtë aspekt, vendi ynë është i rrezikuar.

Ky rrisk shfaqet në pakësimin e prurjeve të dërgesave të emigrantëve, gjë që tashmë ka ndodhur, pasi ka një vit që janë pakësuar me rreth 30 për qind.Sipas të dhënave të vitit 2009, emigracioni më i madh I shqiptarëve është në Greqi, rreth 939 mijë veta.

Një tjetër kanal i transmetimit të krizës greke është mungesa e punësimit sezonal të fshatarëve shqiptarë në territoret greke. Shumë prej këtyre banorëve, çdo vit punojnë në territoret fqinje, kryesisht në sektorin e bujqësisë.

Gjithashtu pasojë e kësaj krize janë dhe investimet greke private në vendin tonë.Në shtyp dimë të gjithë se në rajonin e Korçës, një numër fasonesh që punojnë me lëndë të parë që kanë humbur tregjet dhe për pasojë krijojnë papunësi në territorin shqiptar çka bën të palejueshme zhvillimin normal të biznesit.

Çfarë i rekomandoni qeverisë shqiptare?

Në gjendjen aktuale ku jemi sot, qeveria duhet të vazhdojë me adoptimin e politikave buxhetore, fiskale dhe monetare. Nuk mendoj se është zgjidhje marrja e huave me shlyerje të tyre në periudha afatmesme apo afatgjata pasi kjo do të rriskonte shlyerjen e tyre. Shqetësimi im është se ne jemi tashmë të prekur nga kriza ekonomike por nuk po shohim asnjë plan për minimizimin e saj apo daljen nga kriza.

Banka e Shqipërisë duhet të nxisë zgjerimin e kreditimit dhe jo të kundërtën, çka nënkupton jo thjesht rregulla të rrepta në marrjen e kredive po rishikimin e normës së interesit qoftë duke pranuar një zhvlerësim të mëtejshëm të monedhës kombëtare.Vetëm kreditimi i bizneseve është një mjet që i përgjigjet drejtpërdrejt krizës.

b.a/NOA

KOMENTE