Tiranë, 6 mars, NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e kodit zgjedhor duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës, madje ka nisur punën edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni gjatë një takimi me anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike në qytetin e Lushnjës, kreu i LSI, Ilir Meta.
Sipas tij, LSI do të kontribuojë në përmirësimet e Kodit, të cilat "duhet të bazohet mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR në raportin e saj për zgjedhjet e fundit parlamentare në vend".
Ndërsa më tej ka theksuar se LSI-ja është forcë kryesore politike në Lushnjë dhe se ajo po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Duke vlerësuar qeverisjen e përbashkët me Partinë Demokratike, Meta tha se "koalicioni me të është garancia e qytetarëve për realizimin e reformave të vendit".
Në fund, Meta ka garantuar anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së se kjo forcë politike do të qëndrojë larg tensioneve false.
"Veprimi politik i LSI-së, do të ketë si orientim vetëm integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj e ftojmë edhe opozitën që të kryejë rolin e saj, jo vetëm në përmbushjen e standardeve të BE-së, por edhe në realizimin e aspiratave të qytetareve shqiptarë dhe vet votuesve të saj", theksoi në fjalën e tij, kreu i LSI-së.
n.e/NOA