English

Skandali, Presidenca publikon mesazhet serbe antishqiptare

Tiranë, 6 mars, NOA - Mesazhet serbe antishqiptare "Kosova është Serbi", të shoqëruara me flamurin serb në sfond, janë shfaqur dje sërish në faqen zyrtare online të Presidencës shqiptare. E këtë radhë, jo në mënyrë të dhunshme siç ndodhi pak ditë më parë nga hakerat serbë të cilët e sulmuan sitin tonë institucionit presidencial, por çuditërisht dhe në një mënyrë të pashpjegueshme nga vetë stafi i Presidencës.

Ky i fundit, e ka publikuar në rubrikat e brendshme të sitit zyrtar mbishkrimin serb antishqiptar "Kosova është Serbi", duke e zhdukur disa orë më vonë prej tyre, sërish në mënyrë enigmatike.

Në fakt, lajmin e sulmit të faqes online të presidentit shqiptar Bamir Topi, nga hakerat serbë, (disa ditë pasi e njëjta gjë i ndodhi edhe presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu), e publikuan shumë media dhe deri këtu, gjithçka ishte e kuptueshme.

Kjo pasi, kishim të bënim me një gjest të rëndë dhe të hapur antishqiptar nga ana e palës serbe, i cili normalisht nuk mund rrinte pa u pasqyruar dhe kritikuar nga ana e mediave, por edhe e opinionit shqiptar në tërësi.

Por rishfaqja me të madhe e të njëjtit mesazh ditën e djeshme në faqen e Presidencës, duke i lënë një hapësirë të caktuar në rubrikat e saj, ngjall dyshime dhe premisa për interpretime negative të një gjesti të tillë.

Kjo pasi ajo mund të ngjallë një efekt të kundërt tek publiku i saj shqiptar, i cili detyrohet në këtë mënyrë të lexojë mesazhin serb dhe të konsumojë në mënyrë të tërthortë një imazh dhe informacion i cili mund t'i ngjallë ndjesi të tjera, përtej atyre që pretendohen nga zyrtarët, pra thjesht si përcjellja e një lajmi të zakonshëm dhunim siti.

Të mos harrojmë se ai i irriton mjaft nacionalistët shqiptarë dhe sidomos shqiptarët e Kosovës, të cilët ende janë në valën e euforisë së kremtimit të 2-vjetorit të Pavarësisë së saj.

Pikërisht, ky mesazh antishqiptar i servirur nga pala serbe, publikohet dhe mbahet në faqe për ta parë kushdo, në një moment që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, si dhe mbarë diaspora shqiptare, janë shumë të shqetësuar për faktin se është bllokuar prej shumë kohësh procesi i shtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme të botës.

Pa harruar, as momentin e ankthshëm në të cilin gjendet opinioni kosovar, në pritje të një vendimi përfundimtar për pavarësinë e tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, prej të cilit autoritetet shqiptare kanë shpresë më pas me shtimin e njohjeve si edhe rritje të mëtejshme të autoritetit të Kosovës në qarqet ndërkombëtare.

Në gjithë këto situata delikate për Kosovën, por edhe shqiptarët në tërësi, ajo ç'ka nuk arrihet të kuptohet, është fakti se çfarë arsye kishte në të vërtetë Presidenca shqiptare që të hidhte në faqen e saj zyrtare si temë të posaçme, e të shkruara me shkronja të mëdha, me flamurin serb në ballë, mesazhin antishqiptar.

Shumëkush mund të nisë të aludojë paskëtaj, duke menduar edhe faktin se të shumtë janë njerëzit të cilët mendojnë se presidenti Topi nuk ka bërë aq sa duhet për lobimin mbi njohjet e reja të Kosovës.

m.e/NOA

KOMENTE