Tepelenë, 6 mars, NOA - Policia e Tepelenës ka arrestuar mëngjesin e sotëm tre të rinj për vjedhje banese. Sipas policisë personat janë arrestuar në flagrancë duke vjedhur shtëpi më fshatin Dukaj. Të arrestuarit janë, Ermal Muça, 20 vjeç, Arbër Petani, 18 vjeç dhe Gëzim Hysa, 22 vjeç.
Sipas njoftimit të policisë këta shtetas gjatë orëve të natës janë futur në një banesë për të vjedhur, pasi të zotët e banesës janë përkohësisht me punë dhe banim në Greqi.
Pasi janë futur në banesë për shkak të mungesës së ndriçimit kanë përdorur elektrikë dhe çakmak për të bërë dritë dhe në këtë moment janë diktuar nga një banor i këtij fshatit i cili e kishte në ruajte këtë banesë.
"Ky shtetas ka lajmëruar menjëherë Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ku forca të shumta policie kanë shkuar brenda një kohe rekord në këtë fshat.
Me veprime të shpejta policore dhe të mirë organizuara , duke bërë rrethim e banesës, forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë bënë të mundur kapjen në flagrancë të shtetaseve të mësipërm brenda banesës", thuhet në njoftimin e policisë.
m.xh/NOA