Tiranë, 7 mars, NOA - Thellim i krizës ekonomike greke, mund të bëjë që një pjesë e konsiderueshme e kapitalit shqiptar të shkojë drejt vendit fëqinj, me anë të bankave greke që operojnë në vendi tonë.
Duke e konsideruar këtë mundësinë si një risk të madh për ekonominë shqiptare, Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, ka kërkuar sot nga institucionet e vendit të ndalin daljen e paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit.
"Konfindustria, duke marr shkak nga përballja e mundshme e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e krizës së rende ekonomike dhe financiare në Greqi, i kërkon institucioneve shtetërore të ndalin sa më shpejt dhe me çdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare", u shpreh sot, gjatë një konference për mediat, Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria.
Buxhuku ka kërkuar edhe ndërhyrjen e shërbimeve sekrete për të ndalur çdo kalim parash drejt vendit fqinj.
"Konfindustria, shpreh domosdoshmërinë e përfitimit më të madh të mundshëm nga statusi i sotëm i Shqipërisë për mosliberalizimin e lëvizjes së kapitalit përfshi edhe nga sistemi bankar, duke i kërkuar institucioneve përkatëse si Qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe sidomos Shërbimit Informativ Shtetëror të parandalojnë çdo përpjekje për daljen e paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit", u shpreh Buxhuku.
Ai ka theksuar, se pavarësisht se një pjesë e ndjeshme e sistemit bankar shqiptar është në pronësi të bankave "mëmë" në Greqi, mbështetur në ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë, lejohet kalimi jashtë vendit vetëm të dividentit të krijuar. Sipas Buxhukut, kjo do të thotë, se sistemi bankar shqiptar përfshi edhe bankat me kapital grek është krejtesisht i mbrojtur nga goditjet nga jashtë si dhe gjendja e sistemit bankar grek.
"Kusht i rëndësishëm në sa më sipër është zbatimi me rreptësi i ligjeve ne fuqi për ndalimin e daljes së parave shqiptare jashtë vendit, përveç masave të nevojshme ligjore për bërjen të mundur të shtimit të të hyrave nga jashtë në ekonominë kombëtare, ku përmendim kryerjen në kohë të shpejtë të Faljes Fiskale për qytetarët shqiptare", u shpreh Buxhuku
Në emër të Konfindustria ai ka theksuar, se nëse ndërmerren një sërë veprimesh institucionale dhe ligjore, është plotësisht e mundur, që ekonomia shqiptare jo vetëm të mos preket rëndë nga kriza në Greqi, por edhe të përfitoj ndjeshëm në afatgjatë në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare.
m.xh/NOA