Tiranë, 7 mars, NOA - Sot qytetarët shqiptarë janë më afër se kurrë ëndrrës së tyre europiane, liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian, por kundrejt përpjekjeve kolosale të qeverisë, kryesocialisti Rama ka ndërmarrë një aksion politik të paprecedent.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije gjatë një deklarate për shtyp, deputeti demokrat, Aldo Bumçi, sipas të cilit vendi tani është në rrugë të mbarë për heqjen e vizave me BE-në falë dokumentave të identitetit, sigurisë së kufijve, luftës së qeverisë kundër krimit dhe korrupsionit, si edhe plotësimit të të gjitha kërkesave të tjera në Udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian.
"Deklarimet e zyrtarëve më të lartë të BE, të cilët kërkojnë përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, janë tregues shumë të qartë të vlerësimit dhe vullnetit pozitiv që ekziston ndaj Shqipëisë", ka thënë me tej Bumçi.
Duke shtuar se "kundër kësaj aspirate madhore të të gjithë qytetarëve shqiptarë, trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe izolimit gjysëm shekullor kanë ndërmarrë një fushatë shpifjesh kundër sigurisë së dokumentave të identitetit, me qëllim bllokimin e liberalizimit të vizave".
"Nuk ka gjë më dëshpëruese dhe shqetësuese për interesat e vendit kur shikon se sa poshtë ka rënë, se ku ka degraduar aksioni politik i z. Rama, duke ndërmarrë një sulm të egër kundër procesit të liberalizmit të vizave", tha më tej demokrati i njohur, duke dënuar fushatën e socialistëve për gjoja manipulimet me kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet shtetërore.
n.e/NOA