English

Demokracia e Re reagon për akuzat e hedhura nga VMRO-DPMNE dhe LSDM

Shkup, 7 Mars NOA - Demokracia e Re reagon ashpër ndaj akuzave të ndërsjellta që lëshuan dje VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja duke përkujtuar raste të hidhura të të kaluarës për shqiptarët e Maqedonisë. Demokracia e Re poashtu thotë se denoncon nivelin e ulët të komunikimit të dy partive, posaçërisht kur bëhet fjalë për tema që ngarkojnë marrëdhëniet ndëretnike në vend.

"Demokracia e Re pyet publikisht edhe VMRO-DPMNE-në edhe LSDM-në, cili është qëllimi i tyre kur përkujtojnë Bit Pazarin, Gostivarin, Universitetin e Tetovës, konfliktin e armatosur të vitit 2001?", - deklaroi Visar Ramadani, Anëtar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Publikun në partinë Demokracia e Re, i cituar nga korrespondentja e NOA në Shkup.

"Mos vallë në këtë mënyrë iu lajthiten votuesve të tyre duke i përkujtuar se sa brutal kanë qenë në disciplinimin e shqiptarëve dhe refuzimin e aspiratave të tyre legjitime për barazi individuale dhe kolektive në këtë vend?", shtroi pyetjen tjetër Ramadani.

Nga ana tjetër, DR nuk dëshiron të besojë se të dy partitë duke përkujtuar këto raste famëkeqe dërgojnë mesazh deri te shqiptarët se të njejtat mund edhe të përsëriten.

Në të kundertën, DR thotë se me plot të drejtë do të konstatojë se faji për keqësimin dhe acarimin e marrëdhënieve ndëretnike bie pikërisht mbi VMRO-DPMNE-në dhe LSDSM-në dhe politikat e tyre ndarëse dhe destruktive.

Ramadani tha më tej se Demokracia e Re kërkon nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja menjëherë të ndërpresin politikën ditore dhe propagandën e ulët që po bëjnë mbi kurrizin e shqiptarëve.

"Demokracia e Re iu apelon të ndërpresin politikën e tyre nacionaliste ku objekt i garës janë shqiptarët. Ju sigurojmë se në këtë mënyrë vetëm e dëmtoni shtetin, por nuk mund më të frikësoni shqiptarët", përfundoi z.Ramadani.

z.r/e.r/NOA

KOMENTE