Bagdad, 7 mars, NOA - Zgjedhjet e sotme parlamentare në Irak kanë qenë të përgjakura, me të paktën 24 irakianë të vrarë, ndërsa kryengritësit ndërmorën sulme me mortaja me synimin për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve historike në vend. Këto të fundit janë cilësuar si provë për vullnetin e popullit irakian për të vazhduar rrugën e demokracisë, e cila është ende delikate në Irak.
E megjithatë, në fund të procesit zgjedhor, presidenti amerikan, Barak Obama, u ka uruar irakianëve pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Obama theksoi se ka "respekt të madh për miliona irakianë, që refuzuan të frikësohen nga aktet e dhunës dhe që e shfrytëzuan të drejtën e tyre për votim".
Këto zgjedhje parlamentare shikohen si provë për aftësinë e Irakut për të vendosur sigurinë në vend dhe kalimin pa probleme të pushtetit irakianëve pas pushtimit të vendit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003.
n.e/NOA