Capodrise, Itali, 8 Mars NOA - Një valë kontrollesh e kryer gjatë natës duke gdhirë dita e diel, përfundoi me arrestimin e katër të rinjve, dy shqiptarë dhe dy rumune që akuzohen për rrjet prostitucioni. Dy djemtë akuzohen se kanë shfrytëzuar femra si prostitua, informon korrespondenti i NOA duke cituar burime zyrtare të policisë lokale kurse dy vajzat u arrestuan se prostituonin në mjedise publike, e ndaluar me ligj në Itali.
Operacioni u zhvillua në lokalitetin Capodrise nga Komisariati i Marcianise duke kryer kontrolle të befasishme dhe të njëkohshme në disa shtëpi dhe mjedise publike të kësaj zone.
Si rezultat, janë arrestuar Verdi Xhelo, 28 vjecar, lindur në Shupenzë - Dibër dhe resident në Capodrise në rrugën San Donato dhe Adrian Buci, edhe ai nga Shupenza e Dibrës, 36 vjec, aktualisht me banim në zonën e S. Maria në rrugën Perla.
Por bashkë me dy shqiptarët policia tha se arrestoi edhe 24 vjecaren nga Bosteni i Rumanisë, Viorica Goleani, e cila kishte si vendbanim atë të Bucit.
Në pranga ra edhe 25 vjecarja Ana Maria Puscuta, lindur në Bacau të Rumanisë, aktualisht rezidente në Napoli, në rrugën Agostino.
Policia tha se dy shqiptarët janë pjesë e një bande të trafikimit të qenieve njerëzore ku dyshohet se janë përfshirë jo vetëm shqiptarë por edhe rumunë dhe shtetas të tjerë evropianë.
Nga hetimi ka dalë se dy të arrestuarit merrnin vajza nga Rumania dhe i shfrytëzonin fillimisht vetë dhe më pas i shisnin në trafikantë të tjerë në Itali dhe vende të tjera të BE.
Mësohet se gjatë kontrollit policor në një nga banesat e shqiptarëve u gjet edhe një pistoletë e kalibrit 9x21 gjysmëautomatike, e paregjistruar.
j.s/e.r/noa