Prishtinë, 7 mars, NOA - Komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerallejtënant Markus Bentler, ka marrë vendim të shtunën që të ndërpresë përkohësisht çdo lloj bashkëpunimi me Forcat e Sigurisë të Kosovës. Ky vendim ka ardhur si pasojë e parakalimit të Gardës së FSK-së me armë në manifestimin për "Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", të premten. Ndërprerjen e të gjitha formave të bashkëpunimit ia ka konfirmuar "Kohës Ditore", zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Hans Peter Buh.
"KFOR-i ka ndaluar përkohësisht çdo përkrahje dhe të gjitha aktivitetet e trajnimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës deri në një njoftim të ardhshëm", ka thënë ai. Zëdhënësi i KFOR-it ka shtuar se komandanti i KFOR-it (Markus Bentler v.j.) është detyruar të marrë një vendim të shpejtë.
"Ai ka thënë se ne do të shikojmë se cili do të jetë bashkëpunimi ynë në të ardhmen me FSK-në", ka cituar Peter Buh, komandantin e KFOR-it në Kosovë. Lidhur me këtë vendim zëdhënësi i KFOR-it ka thënë se ka njoftuar edhe presidentin e Kosovës dhe ministrin e Forcës së Sigurisë.
m.xh/NOA