English

Rikthehen fantazmat e luftës

Nga Ron Synovitz

Fantazmat e luftës së Bosnjës janë rikthyer sërish këtë javë. Të hënën filloi gjykimi i Radovan Karaxhiqit në Gjykatën e Hagës. Në të njëjtën ditë, autoritetet britanike arrestuan ish-udhëheqësin boshnjak të luftës, Ejup Ganiq. Të dyja rastet kanë nisur një debat të ashpër mes serbëve e boshnjakëve rreth ngjarjeve të fillimluftës në Bosnjë

Momenti i zgjedhur nga Serbia për të kërkuar arrestimin e udhëheqësit boshnjak të kohës së luftës, Ejup Ganiq, në të njëjtën kohë që filloi gjykimi i Radovan Karaxhiqit në Hagë, ka shtuar zërat dhe akuzat se Beogradi po përdor ekstradimin e Ganiqit si mjet për mbrojtjen e Karaxhiqit. Drejtësisë britanike do t'i duhen muaj për të vendosur nëse do ta dërgojë Ganiqin në Beograd apo jo. Gjyqi i Karaxhiqit dhe arrestimi i Ganiqit në aeroportin Hethrou në Londër, kanë ringjallur debatet mes serbëve e boshnjakëve rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Sarajevë në fillim të majit, 1992. "Nuk është rastësi se çështjet e Karaxhiqit dhe Ganiqit po ndodhin në të njëjtën kohë. Tregues shumë të besueshëm të bëjnë të mendosh se e gjithë kjo po drejtohet nga dikush. Nismëtarët e së keqes të para 20 vjetëve po dëshmojnë shkallë të lartë aftësie këtë radhë. Mbetet të shihet se sa të fuqishme do të jenë efektet", tha Ibrahim Prohiq, komentator i së përditshmes "Oslobogjenje". Beogradi e akuzon Ganiqin për vrasjen e 40 ushtarëve serbë të Ushtrisë Jugosllave më 3 maj të vitit 1992, kur luftëtarët boshnjakë shkelën armëpushimin.

Një ditë më parë, presidenti boshnjak, Alija Izetbegoviq kishte emëruar Ganiqin si ushtrues detyre të presidentit. Më 2 maj të vitit 1992, trupat serbe të ushtrisë jugosllave kishin nisur një sulm të fuqishëm në gjithë Sarajevën, por ishin ndaluar nga luftëtarët boshnjakë në atë që do të formonte më pas vijën e fronit për 44 muajt e rrethimit të Sarajevës. Më 3 maj të vitit 1992, 400 trupa serbe mbeten të rrethuar në barakat e ushtrisë në Bistrik. Në mesin e tyre ishte dhe komandanti ushtarak serb, Milutin Kukanjac. Beogradi pretendon se Ganiqi shkeli garancitë e dhëna, që do t'u lejonte trupave serbe një kalim të sigurt, si pjesë e marrëveshjes për lirimin e Izetbegoviqit në këmbim të Kukanjacit. Kombet e Bashkuara shoqëruan trupat serbe që ishin të pajisura me municion të rëndë, çka u përdor më pas kundër banorëve të Sarajevës, gjatë rrethimit disavjeçar. Vetëm 500 metra larg barakave të ushtrisë, luftëtarët boshnjakë qëlluan mbi trupat serbe, me gjithë thirrjet për ndërprerjen e zjarrit. Gazetarët perëndimorë në vendin e ngjarjes thonë se në atë incident nuk janë vrarë më shumë se 8 ushtarë serbë. Një transmetim i drejtpërdrejtë i ngjarjes në televizionin e Sarajevës është tregues i kaosit të momentit dhe faktit se Ganiqi nuk e kishte situatën nën kontroll. Ngjarjet e 2 dhe 3 majit, 1992, janë në zemër të mbrojtjes së Karaxhiqit në Hagë. Ai ka deklaruar para Gjykatës së Hagës se serbët ishin viktimat e para të luftës. Robin Harris, ish-këshilltar i kryeministres britanike, Margaret Theçër, tha se kërkesa e Beogradit për ekstradimin e Ganiqit është përpjekje për të forcuar mbrojtjen e Karaxhiqit. "Është një rast i motivuar politikisht. Ai synon të largojë vëmendjen nga Karaxhiqi si dhe përpiqet të krijojë një baraspeshë morale mes asaj se çfarë bënë serbët dhe çfarë mund të kishin bërë boshnjakët. Zgjedhja e incidentit të ushtarëve serbë është një përpjekje e pafytyrë për të bërë baraspeshën e krimeve të tmerrshme të Karaxhiqit", tha Harris i cituar nga radio Evropa e Lirë. Ai shtoi se nuk beson që Ganiqi do t'i dorëzohet Serbisë, pasi, sipas tij, "nuk ka asnjë mundësi" që Ganiqi të ketë një gjykim të ndershëm në Beograd.

Foto: Bosnjë e Hercegovinë - Qendra memoriale në Potoçari

KOMENTE