Berlin, 8 mars, NOA - Intervistë me Ivan Bizjak, nga Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së, në kuadër të konferencës së ministrave të brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai është Drejtor i Përgjithshëm për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së.
Z. Bizjak, ku e shihni efektivitetin e konferencave të tilla rajonale, që kanë në fokus probleme të sigurisë së kufijve?
- Në çdo rast programi për sigurinë e kufijve është shumë i rëndësishëm për vendet e rajonit. Por jo vetëm për Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se çështje të tilla si siguria ndërkufitare, siguria rajonale apo më gjerë në rang global përbëjnë sot një listë aspektesh shumë të ndjeshme në raportet politike, ekonomike e diplomatike mes shteteve. Imagjinoni se sa e rëndësishme është kjo për një rajon problematik, me konflikte të shumta e të ashpra në të kaluarën e largët dhe të afërt. Por tani ka një bindje të padiskutueshme tek institucionet zyrtare dhe shoqëria civile në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor se pavarësisht ndonjë dallimi apo çështjeje të debatueshme në planin politik, bashkëpunimi në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar është jetik. Dhe nga viti në vit kjo ka dhënë rezultate konkrete mes vendeve të rajonit. Ndaj dhe përpjekja e tyre për të gjetur rrugë e strategji kooperuese në menaxhimin e integruar të kufijve, duke caktuar objektiva e afate është gjithmonë akt që duhet përshëndetur. Udhëheqësit politikë, zyrtarët e lartë të vendeve ballkanike me qëndrimet dhe zotimet që marrin në tryeza të tilla pune, patjetër që i hapin rrugë bashkëveprimit në nivele më të ulta, të profesionistëve e ekspertëve. Për të përmirësuar kohë pas kohe standartet e kërkuara.
E megjithatë, nga vëzhgimet dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare ka ende kritika për menaxhimin e kufijve në vendet e rajonit…
- Sigurisht që këto standarte nuk mund të arrihen brenda natës. Marrin ca kohë. Pasi ka shumë rëndësi që grupeve të organizuara kriminale që përpiqen t'i shfrytëzojnë vijat kufitare apo territoret pranë tyre iu duhet dhënë përgjigje po e organizuar nga ana e forcave policore apo shërbimeve të tjera në luftën kundër trafiqeve e kontrabandës. Nëse do të ketë ndërlidhje mes tyre, shkëmbim informatash e operacione të përbashkëta kjo do ta bëjë situatën më të sigurtë. Kjo kërkon njerëz të kualifikuar e kurajozë, por dhe pasjisje e mjete logjistike që t'i përgjigjen kushteve aktuale. Duke krijuar një territor të mbrojtur nga krimi e trafiqet e paligjshme kjo është një premisë konkrete për integrimin e të gjitha shteteve të rajonit në familjen europiane. Ajo që flitet sot shumë për nevojën e menaxhimit të integruar të kufijve nuk është thjesht një fushatë në një periudhë të caktuar. Por është një proces që duhet të vazhdojë, një proces i vazhdueshëm.
Çështja e sigurisë kufitare në konferencë po lidhet vazhdimisht me procesin e integrimit të vendeve të rajonit në BE. Madje ka të bëjë direkt me fazën e parë atë të liberalizmit të vizave për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen. Për dy shtetet që nuk kanë arritur ta marrin këtë të drejtë, Shqipëria e Bosnje Hercegovina, si janë shanset në vijim?
- Unë shpresoj se kjo do të bëhet e mundur edhe për të dy vendet e rajonit. Unë nuk jam në gjendje tani t'ju them ekzaktësisht se si do të jetë vlerësimi pas pak muajsh, por jam i sigurtë se dhe Shqipëria e Bosnje Hercegovina e kanë të qartë se çfarë duhet të përmbushin. Liberalizmi i vizave është vetëm një aspekt i rrugës plot sfida drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kjo kërkon shumë punë dhe energji. Duhen konsoliduar institucionet, të garantohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të respektohen të drejtat e njeriut, të ketë konkurencë të lirë në treg etj., reforma bindëse dhe që japin efekte pozitive tek qytetarët dhe mirëqënia e tyre. Kjo arrihet jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra konkrete. Sepse problemet do të jenë më të pakta kur procesi kalon më shumë në planin konkret.
DVelle