English Version Below
Tiranë, 8 Mars NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta foli sot rreth pretendimeve për trafik organesh në Shqipëri gjatë periudhës së luftës në Kosovë duke siguruar se Qeveria e Shqipërisë e gatshme të bashkëpunojë me institucionet ndërkombëtare dhe e interesuar që t'u jepen përgjigje këtyre pretendimeve të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore.
Meta i bëri këto komente në përgjigje të pyetjes që iu bë sot nga Agjencia Telegrafike Shqiptare e cila kërkoi të dijë "si i përgjigjet Qeveria Shqiptare pretendimeve se në Shqipëri është kryer trafik organesh të qenieve njerëzore në periudhën e luftës në Kosovë?".
Z. Meta tha se lidhur me këtë çështje Qeveria e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë dhe pa asnjë rezervë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me grupin e posaçëm hetimor që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003, pikërisht për të hetuar këto pretendime, të cilat rezultuan të pavërteta.
"Megjithatë, dëshiroj të ritheksoj gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Europës, në mënyrë që t'i jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve, që do të cilësoja si të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore", - vijoi z.Meta.
Në përfundim ai siguroi se "Qeveria e Shqipërisë është e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla".