Tiranë, 8 mars, NOA Update - Kryeministri Sali Berisha, bëri të ditur sot nisjen e një serie takimesh në gjithë vendin me zgjedhësit, për ti informuar ata në lidhje me reformat e qeverisë.
Nisma më e fundit e mazhorancës është bërë publike nga Berisha, gjatë mbledhjes së grupit të deputetëve të PD-së. Berisha theksoi se takimet do të jenë të pasosura dhe do të zhvillohen në gjithë vendin.
"Dialogu me shqiptarët, me qytetarët, ne duhet të shkojmë në çdo skaj të këtij vendi. Ti njohim me përpjekjet rezultatet, me arritjet, mos arritjet, do të bëjmë një dialog me qytetarët, të rinjtë me pensionistët. Është shumë e rëndësishme të takojmë pensionistët", u shpreh kreu i qeverisë.
Ai theksoi se objektivi i këtij takimi është njohja e gjithë qytetarëve me reformat e realizuar nga mazhoranca.
Plani i kryeministrit Sali Berisha duket i ngjashëm me turin që ndërmori kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas marrjes së partisë katër vite më parë. Ndryshimi është se Rama i quajti takimet e tij si "Dialog me Shqipërinë" . Në atë kohë kjo nisëm e kreut të PS-së u sulmua nga mazhoranca si populizëm i tepruar, madje dhe i kopjuar nga teoritë maoiste të marrëdhënieve me masat.
m.xh/NOA