Glasgou, 8 mars, NOA - Qarkulloi lajmi se ata ishin tre kosovarë që jetonin në Glasgou të Skocisë dhe se u hodhën nga ballkoni pasi autoritetet nuk u dhanë përgjigje pozitive për kërkesën e paraqitur prej tyre për azil. Por në fakt, duket se nuk ka qenë aspak kështu, pasi tre personat që bënë vetëvrasje në Skoci, nuk janë kosovarë. Këtë e konfirmoi sot ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti.
Ai tha se autoritetet britanike, kanë konfirmuar se tre personat nuk janë kosovarë, duke mohuar kështu lajmin që qarkulloi rreth ngjarjes së rëndë."Autoritete zyrtare britanike e konfirmojnë zyrtarisht se njerëzit, për të cilët është dyshuar se ishin shtetas të Kosovës dhe kishin bërë vetëvrasje dje, nuk janë shtetas të Kosovës. Ambasada e Kosovës është përpjekur që nga momenti i parë që të marrë vesh apo edhe të konstatojë vërtetësinë e lajmit. Por, tani jemi të lumtur të njoftojmë se nuk bëhet fjalë për shtetas të Kosovës", tha Hamiti lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA