Tiranë, 8 mars, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur sot se klasa politike kosovare është e pjekuar dhe ka treguar se di ti kalojë krizat, megjithë përvojën e pakët shetformuese të vendit. Deklarata e kreut të shtetit është bërë sot gjatë takimit me ministrin e Arsimit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe delegacionit që e shoqëronte atë.
Topi vlerësoi ministrin Hoxhaj për punën e tij të suksesshme në drejtim të njërës prej ministrive më të rëndësishme të shtetit të ri kosovar. Ai ka vlerësuar dhe t hapat e admirueshme të shënuara nga Kosova gjatë dy viteve të fundit.
"Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu pjekurinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, me të cilat është përballuar qysh nga dita e shpalljes së pavarësisë: ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare përsa u përket njohjeve nga gjashtëdhjetë e pesë shtete të botës", thuhet në njoftimin e presidencës në lidhje me takimin.
Ministri Hysenaj ka vlerësuar punën e bërë në drejtim të rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve homologe dhe shkëmbimit të përvojës në fushën e arsimit, ku një ngjarje e rëndësishme ishte edhe nënshkrimi sot i Marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy ministrive.
Presidenti Topi dhe Ministri Hoxhaj, kanë diskutuar edhe për situatën në rajonin ballkanik dhe ndanë mendimin e përbashkët mbi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit të gjithanshëm rajonal si dhe të rritjes së shkëmbimit të ekspertizës me synim arritjen e liberalizimit të regjimit të vizave si dhe përmbushjen e objektivave të përbashkëta integruese në familjen e madhe evropiane.
m.xh/NOA