Tiranë, 9 mars, NOA - "Alo 116", Linja e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri dhuron për herë të parë në Shqipëri ndihmë konkrete për të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre përmes një shërbimi kombëtar falas, 24 orë në 7 ditë. Ajo mundësohet falë CRCA/DCI dhe UNICEF, të cilët promovuan sot përmes një ceremonie të veçantë zyrat e kësaj linje. Bëhet me dijeni se gjatë ceremonisë mori pjesë edhe zonja e Parë Teuta Topi, Nora Malaj zv/ministre e Arsimit dhe Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF në Shqipëri etj.
Duke vlerësuar maksimalisht këtë shërbim unikal në llojin e vet, zonja Topi u shpreh se "roli ynë është të takojmë fëmijët, t'i dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë e të flasim me ta", duke shtuar se "duke punuar së bashku, mund të trajtojmë çështjet që i shqetësojnë ata më shumë si dhe të reflektojmë për dëshirat, shpresat dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen".
Ndërsa përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm falenderoi veçanërisht kompanitë telefonike shqiptare që për këtë linjë kanë vënë në dispozicion shërbimet e tyre, pa pagesë.
Ai tha se "çdo lloj abuzimi është i dëmshëm për zhvillimin e fëmijëve dhe numri i
personave që telefonojnë në linjën telefonike të fëmijëve tregon se mbrojtja e tyre në
Shqipëri ka akoma nevojë të përmirësohet", duke e konsideruar këtë shërbim "një arritje të madhe" dhe pjesë "të një sistemi të tërë të mbrojtjes së fëmijëve".
n.e/NOA