Prishtinë, 9 Mars NOA - Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar një punëtori me përfaqësues të Këshillit Evropian, të ICO-së, UNICEF-it, dhe përfaqësues tjerë ndërkombëtarë, mbështetës të projekteve arsimore në Kosovë.
Temë debati e kësaj punëtorie ishte finalizimi i draft-dokumentit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar (LAP) në Kosovë, i cili është hartuar nga MASHT dhe së shpejti pritet të jetë i gatshëm për shqyrtim dhe miratim nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Punëtoria e sotme pati në fokus vërejtjet, sugjerimet dhe komentet e marra nga terreni ku për disa javë rresht është debatuar me përfaqësues të institucioneve arsimore dhe të shtresave të ndryshme intelektuale në Kosovë.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka përgëzuar të gjithë aktorët në hartimin e këtij ligji, pjesëmarrësit në debat e në veçanti ka falënderuar ekspertët ndërkombëtarë për konsulencën e dhënë në këtë drejtim.
Ai gjithashtu ka falënderuar edhe donatorët për mbështetjen e vazhdueshme financiare të projekteve arsimore, në veçanti Bankën Botërore.
"Ne po synojmë që të kemi një ligj të standardeve evropiane, një ligj i cili përveç që ofron infrastrukturë bashkëkohore ligjore, njëherësh të jetë edhe lehtë për t'u implementuar në rrethanat e shtetit tonë të ri", ka theksuar ministri Hoxhaj.
Konsulenti i MASHT, Dennis Farrington, është shprehur se, ende ka kohë që ky draftligj të plotësohet ashtu që në fund të kemi një dokument që vërtetë do të jetë i përshtatshëm dhe konform standardeve bashkëkohore.
Bëhet e ditur se debati do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim edhe me drejtorët e shkollave të mesme, grupin punues për diskutim të dokumentit -draftligjit dhe me konsulentë ndërkombëtarë.
a.b/NOA