English

BE: Invalidët, të varfër e të izoluar

Tiranë, 9 Mars NOA, Blerina Ahmetaj - Qeveria Shqiptare ka ende punë për të rritur standardin e jetesës së personave me aftësi të kufizuar. Nga monitorimi që ka kryer fondacioni shqiptar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, mësohet se qeveria ka ende shumë masa të pazbatuara në drejtim të kësaj kategorie.

Drejtoresha e shqiptar "Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar", Blerta Cani i tha sot agjencisë NOA se raporti i përgatitur përmban vlerësimin e progresit të bërë në pesë fusha.

Ato janë përshtatshmëria e ambienteve, shërbimet shoqërore dhe shëndetësore, edukimi, punësimi e formimi profesional, fuqizimi i kapaciteteve dhe legjislacioni. Vlerësimi është realizuar në gjashtë qytete të vendit, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.

"Nga 95 masa për t'u realizuar në afate të përcaktuara në këtë document, vetëm 11 masa janë realizuar mirë, ndër to 6 janë plotësuar dhe 23 për qind e tyre nuk kanë filluar të zbatohen. Ndërkohë detyrime të tjera i gjejmë të paplotësuara në të gjitha fushat", u shpreh drejtoresha e fondacionit, Blerta Cani.

Kurse kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan theksoi se në Shqipëri hartohen ligje të mira por problem mbetet zbatimi i tyre.

Në emër të qeverisë, dy ministrat e linjës, ai i punës dhe shëndetësisë premtuan më shumë vëmendje për përmirësimin e kushteve të jetës për personat me aftësi të kufizuar. Nga ana e tij, Ministri i Punës, Spiro Ksera premtoi një vlerësim të aftësisë së kufizuar gjatë këtij viti.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, deklaroi rritjen e kujdesit shëndetësor nga ana e institucioneve për këtë kategori.

b.a/e.l/NOA Shkruajini autores: blerinaahmetaj@noa.al

KOMENTE