Prishtinë, 9 mars, NOA - Belgjika do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt perspektivës evropiane. Një fakt të tillë presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, ia ka siguruar kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, gjatë një takimi të përbashkët në Prishtinë, ku u diskutua për marrëdhëniet në mes të dy vendeve, thellimin e bashkëpunimit bilateral, si dhe integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Evropian. "Vizioni i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO", tha Sejdiu, duke shtuar se Kosova angazhohet për integrimin e të gjithë rajonit në strukturat euroatlantike, meqë kjo do të ishte perspektiva më e mirë për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës Juglindore.
Nga ana e tij, Leterme tha se Belgjika do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe aspiratat e popullit të saj për të qenë sa më parë pjesë e integruar e familjes evropiane.
Të njëjtin fakt, personaliteti belg ia ka komunikuar edhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim të përbashkët.
Leterme tha se Belgjika është ndër shtetet e para që ka njohur shtetin e Kosovës, si dhe shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të inkurajuar edhe shtetet tjera që ta njohin Kosovën.
"E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Edhe pse kjo rrugë sot mund të duket e vështirë dhe me shumë pengesa, Belgjika është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugë. Integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk do të kompletohet pa Kosovën", tha Leterme.
n.e/NOA