English

Bursat, 16 studentë ikin nëpër botë

Ministri Pajaziti priti sot 16 bursistë që janë duke studiuar përmes programit prestigjioz Chevening

Prishtinë, 9 mars 2010 NOA - Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti ka pritur sot në kabinetin e tij 16 bursistë që janë duke studiuar në Britaninë e Madhe përmes programit prestigjioz Chevening, i cili program financohet nga Qeveria britanike dhe ofron bursa për studentë të vendeve të ndryshme të botës.

Këta 16 përfaqësues nga programi Chevening, njëherësh edhe përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës, shumë prej të cilave nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës duke përfshirë shtetet si Kina, Argjentina, India, Nepali, Bangladeshi, Ukraina dhe disa vende të tjera e kanë vizituar Republikën e Kosovës me qëllim të mbledhjes së informatave dhe fakteve lidhur me situatën dhe zhvillimet në Kosovë pas pavarësisë.

Ministri Pajaziti prezentoi situatën e sigurisë dhe arritjet e mëdha të deritashme, duke theksuar edhe përpjekjet që Qeveria e Kosovës po bën për t'i përmirësuar kushtet e banorëve të vet, posaçërisht të komuniteteve te ndryshme.

Përfaqësuesit e programit Chevening, përgëzuan ministrin Pajaziti për arritjet që ka bërë Republika e Kosovës. Gjithashtu ata theksuan edhe faktin se para se të vinin në Kosovë, kanë patur një pasqyrë krejtësisht tjetër lidhur me Kosovën dhe zhvillimet në Kosovë, mirëpo pas kësaj vizite shumë prej paragjykimeve që kanë patur janë zëvendësuar me informata të drejta për Kosovën.

Ata njëherësh kanë theksuar se do të përcjellin mesazhin edhe në vendet e tyre se duhet të shqyrtojnë vendimin për njohjen e Kosovës dhe se në Kosovë ka përparim të madh ku vërehet se ka kushte të barabarta për të gjithë që jetojnë aty.

a.b/NOA

KOMENTE