English

Debat i posaçëm për peticionin e sindikatave

Prishtinë, 9 Mars NOA - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i kryesuar nga Ismet Beqiri, kryetar, sot mbajti mbledhjen e radhës. Të pranishmit diskutuan për peticionin drejtuar këtij komisioni nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Kosovë, si dhe për angazhimet e komisionit që dalin nga Plani e Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2010.

Po ashtu, u debatua edhe për përgatitjet e Tryezës që do ta organizojë komisioni me datën 18 të këtij muaji, për Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Për të shprehur shqetësimet e sindikatës, në mbledhje ishte i pranishëm kryetari i kësaj sindikate, prof. Fatmir Fehmiu. Ai tha se pakënaqësitë e pensionistëve janë të akumuluara me vite, prandaj është koha e fundit që të ndërmerret diçka që do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes së tyre.

Duke folur për peticionin e nënshkruar nga ana e tyre, Fehmiu theksoi: "Kemi dashur të sinjalizojmë dhe tërhequr vërejtjen organeve kompetente për realizimin e të drejtave të pensionistëve dhe të invalidëve të punës, me ç'rast peticionin e kanë nënshkruar mbi 400 pensionistë, dhe ai po vazhdon të nënshkruhet".

Kryetari Beqiri, falënderoi përfaqësuesin e sindikatës për informimin që u bëri anëtarëve të komisionit, dhe i premtoi atij se komisioni do të angazhohet për realizimin e të drejtave të tyre.

Po ashtu, komisioni vendosi që në lidhje me kërkesat e pensionistëve dhe sindikalistëve, të organizojë dëgjim publik, ku do të identifikoheshin kërkesat konkrete dhe rekomandimet për organet kompetente.

Ndërkaq, në lidhje me Planin e Veprimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2010, komisioni vendosi që për pikat: 30, 31, 32 dhe disa pika të tjera të planit, fushëveprimtaria e të cilave bie në domenin e angazhimeve të komisionit, të kërkohet mbështetje edhe nga OSB-ja.

Në fund, komisioni diskutoi edhe për tryezën që do të organizohet për Projektligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje. Komisioni vendosi që tryeza të zhvillojë punimet në grupe, ku secili grup do të ketë kryesuesin e vetë.

Me këtë rast komisioni vendosi që në grupin ku do të diskutohet për parandalimin e dhunës, kryesuese të jetë anëtarja e komisionit Nerxhivane Dauti, në atë të rehabilitimit, Ibrahim Makolli dhe në atë të sanksionimit deputeti Hajredin Hyseni.

a.b/NOA

KOMENTE