Prishtinë, 9 Mars NOA - Në kuadër të angazhimit për nxjerrjen e një ligji sa më adekuat konform rrethanave në Kosovë për ekzekutimin e sanksioneve penale, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizoi sot një dëgjim publik, i cili u udhëhoq nga kryetari i komisionit, Bahri Hyseni.
Përveç anëtarëve të komisionit, morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it e të organizmave të tjerë ndërkombëtarë, të Fakultetit Juridik, të Odës së Avokatëve, të Zyrës së Avokatit të Popullit, të KMDLNJ-së e të organizatave të tjera të shoqërisë civile.
Kryetari Hyseni tha qëllimi i këtij dëgjimi publik është diskutimi dhe nxjerrja e përfundimeve për një ligj shumë me rëndësi dhe bazik për institucionet e Kosovës, të cilat do t'i ndihmonin grupit punues gjatë amendimit të tij.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Bedri Bahtiri, duke folur rreth përmbajtjes dhe rëndësisë së këtij projektligji, theksoi se ai është si rezultat i punës dhe përkushtimit të Ministrisë së Drejtësisë, për kompletimin e infrastrukturës ligjore, në kuadër të reformave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në çështjet e legjislacionit dhe të strukturës organizative e funksionale të gjyqësorit në Kosovë.
Sipas tij, ky projektligj ka për qëllim risocializimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri, dhe përgatitjen e tyre për jetë dhe sjellje të përgjegjshme në jetën pas-panale. Bahtiri tha se Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale shërben po ashtu për mbrojtjen e shoqërisë, duke parandaluar kryerjen e veprave të tjera penale.
Në vijim, diskutuesit dhanë vlerësime pozitive për projektligjin, por edhe vërejtje dhe sugjerime.
Behxhet Shala nga KMDLNJ, dha disa vërejtje për nene të caktuara, duke potencuar nevojën e riformulimit të tyre.
Një nga çështjet e potencuara nga Shala, ishte ajo e monitorimit të burgjeve nga ana e organizatave joqeveritare, e cila u vu në spikamë edhe nga drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.Ndër të tjera, ajo shtroi si shqetësim rënien e lirimeve me kusht gjatë vitit të kaluar, në krahasim me vitin 2008. Ajo kërkoi rregullimin në ligj të kësaj çështjeje, sikurse edhe atë të krijimit të një njësie punuese ekonomike për të burgosurit.
Rushiti kërkoi që të qartësohet edhe çështja e përdorimit të forcës ndaj të burgosurve.
Nushe Kuka nga Oda e Avokatëve të Kosovës, duke e potencuar domosdoshmërinë e zbatimit të drejtë të ligjit në praktikë, shtroi çështjen e llogaritjes kohore të paraburgimit, duke dhënë shembuj konkretë nga vendet e rajonit.
Ideja e lejimit dhe zyrtarizimit të përdorimit të telefonave mobilë brenda burgjeve, u pa me dyshim nga shumica e diskutuesve, duke u arsyetuar më mundësitë e mëdha të keqpërdorimit të tyre. Bardhyl Hasanpapaj nga NDI, e vlerësoi ligjin të shkruar mirë, ndërsa duke identifikuar disa lëshime, sugjeroi saktësimin nenit për mbajtjen e armëve nga ana e shërbimit korrektues. Ligjëruesi nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, Rexhep Gashi, duke dhënë vlerësime pozitive për ligjin, tha se ai është konform konventave ndërkombëtare. Gashi theksoi se shumë gjera që i potencon ligji do të rregullohen edhe me akte nënligjore.Njësia punuese ekonomike brenda burgut, u pa si nevojë nga shumica e diskutuesve. Anëtarët e komisionit, Adem Salihaj e Bajram Kosumi, e vlerësuan të nevojshëm ndërtimin e një qendre të tillë, e cila, para së gjithash, do të ndikonte në rehabilitimin e të burgosurve.
Kryetari i Komisionit, Bahri Hyseni, duke nxjerrë përfundimet e këtij dëgjimi publik, radhiti një varg çështjesh të cilat do të diskutohen në grupin punues për këtë projektligj dhe në komision.
Në kuadër të konkluzioneve të nxjerra, Hyseni veçoi: çështjen e pakove të ushqimit nga jashtë për të burgosurit, lirimin me kusht, shërbimin sprovues, të drejtën e të burgosurve për qëndrim në dhoma të veçanta, përdorimin e telefonave mobilë, çështjen e paraburgimit, ndërtimin e njësisë ekonomike etj.
a.b/NOA