English

Erdogan, Topallit: Ne jemi partnerë

Ankara, 9 Mars NOA - Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i rezervon një takim të veçantë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e cila gjendet në Turqi pasi po merr pjesë në Samitin Botëror "Të drejtat e Grave lidhin lindjen me perëndimin".

Në takimin me Topallin, Erdogan theksoi se Turqia dhe qeveria e tij po i kushtojnë gjithnjë e më tepër vëmendje, çështjes së promovimit të të drejtave të grave.

"Turqia dhe Shqipëria mbeten jo vetëm vende të lidhura nga tradita historike e miqësisë dhe bashkëpunimit, por gjithnjë e më shumë ato po kthehen në dy partnerë strategjikë dhe faktorë të rëndësishëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon", tha ai.

Sipas Erdogan, në katër vitet e fundit marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar dhe në nivelet më të larta. Madje Erdogan përmendi dhe faktin se "Shqipëria është vendi që kam vizituar më shpesh".

Në bisedë u shpreh kënaqësia për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me tregues dinamikë dhe u shpreh vullneti për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me interes reciprok.

Gjatë bisedës u theksua se biznesi turk vlerëson lehtësimet dhe klimën e favorshme që është krijuar në Shqipëri për investitorët e huaj.

Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se synimi dhe ambicia për të kapërcyer vlerën e një miliard dollarëve, të shkëmbimeve tregtare nëpërmjet dy vendeve.

e.r/NOA

KOMENTE