English

Godinat e banimit, energjia që ikën kot

Tiranë, 9 Mars NOA, Rajmonda Lajthia - Eficienca e energjisë në ndërtesat publike ishte tema e seminarit që u mbajt sot në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Ky seminar u zhvillua në bashkëpunim me KfW dhe kishte si synim të sensibilizojë faktin se energjia elektrike në godinat e banimit dhe mjedise të tjera, nuk menaxhohet aspak mirë duke shkaktuar humbje të ndjeshme.

Gjithsesi në këtë seminar, askush nuk mori mundimin të flasë për faktin se tarifat e energjisë për mjediset e përbashkëta (shkallë, korridor e ashensor) që u mbahen banorëve të pallateve, kryesisht atyre të ndërtuar pas viteve '90, janë kaq të larta sa arrijnë të njëjtën vlerë me atë që një familje harxhon në banesën e saj.

***

Seminari u hap nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Leonard Beqiri. Në fjalën e tij, zv.ministri Beqiri tha se, METE është duke përgatitur ligjin për eficencën e energjisë, bazuar në direktivën 2006/32/EC të Bashkimit Europian.

"Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me donatorët, përfshirë KFW për përfundimin e këtij ligji në përputhje me zhvillimin e sektorit energjetik në vend", u shpreh zv.ministri Leonard Beqiri.

Sipas Beqirit, eficienca e energjisë lidhet ngushtë me reduktimin e humbjeve dhe konsumit të energjisë, çka dhe është një angazhim i qeverisë në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës e protokollin e Kyotos.

Zv.ministri theksoi se, plani i veprimit për eficiencën e energjisë përcakton masa të qarta që duhen ndërmarrë në vitet e ardhshme dhe për të cilat METE është plotësisht e angazhuar.

Ndërsa theksoi se shembuj më domethënës në eficiencën e energjisë janë ndërtesat publike, zv.ministri Beqiri tha se qeveria do të mbështesë zbatimin e këtyre iniciativave, në radhë të parë, në institucionet publike.

Fjalën në seminar e mori dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, z. Taulant Musabelliu, i cili theksoi rëndësinë e eficiencës së energjisë. Z.Musabelliu tha se tashmë është hartuar dhe Plani Kombëtar për Energjinë.

Për eficiencën e energjisë folën edhe përfaqësues të KfW znj. Paulwitz dhe z. Drillisch, të cilët theksuan bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë.

Ato theksuan gjithashtu se KFË ndërmjet këtyre nismave përpiqet të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.

Krahas dhënies së shembujve pozitivë, qeveria do të marrë masa që standardet e eficiencës së energjisë të shtrihen gradualisht në të gjithë vendin, duke nisur nga sektorë lehtësisht të identifikueshëm.

r.l/e.k/NOA Shkruajini autores: rajmondalajthia@noa.al

KOMENTE