English

Grabitje me dhunë në hyrje të pub-it

Korçë, 9 Mars NOA - Një grabitje me dhunë ka ndodhur në hyrje të një pub-i në qytetin e Korçës, ku një i ri është plagosur dhe i janë rrëmbyer sende personale që ai kishte me vete. Ngjarja e denoncuar nga 20 vjeçari A.D, ka pasur për protagonistë dy djem korçare të cilët janë identifikuar nga policia, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Nga dëshmitë e viktimës së grabitjes dhe hetimet e para në vendngjarje, bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në hyrje të pub "Spirit" i cili ndodhet në lagjen nr 3 të qytetit juglindor.

Policia ka identifikuar si autorë të grabitjes së dhunshme, 20-vjeçarin K.C, lindur dhe banues në lagjen nr 15 të Korçës, D.M., 23 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr 4 dhe N.S 23 vjeçar, lindur dhe banues në lagjen nr 3 të Korçës, i dënuar më parë për vjedhje.

I riu A.D., lindur në Elbasan dhe banues në lagjen nr 17 të qytetit të Korçës, ka kallëzuar se dje teksa ndodhej në hyrje të pub "Spirit", u përball me tre djemtë e sipërpërmendur të cilët kanë ushtruar dhunë mbi të.

Pasi e kanë shkelmuar dhe qëlluar me grushte, tre hajdutët e dhunshëm i kanë vjedhur 20-vjeçarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin një telefon "Nokia" dhe një varëse floriri me medalion.

Policia tha se ka arritur të ndalojë dy të parët dhe është vënë në kërkim të të dyshuarit të tretë të ngjarjes dhe shtoi se që të tre akuzohen për veprën penale të "Vjedhje me dhunë në bashkëpunim".

Kohët e fundit ka një shtim problematik të rasteve të vjedhjeve të dhunshme në rajonin e Korçës.

a.f/e.l/NOA

KOMENTE